Rama-Haradinaj: Të përshpejtohet axhenda e përbashkët  

27.09.2017 13:00:19

Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me homologun Ramush Haradinaj, deklaroi se është “shpresëplotë për një përshpejtim të axhendës së përbashkët” të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

“Hapat e ndërmarrë deri më sot në kuadër të rrëzimit të barrierave që e pengojnë integrimin e plotë të dy shteteve tona në një proces lehtësimi përfundimtar të marrëdhënieve përbëjnë një premisë, por ende jo një platformë zgjidhjesh. Prandaj, mbledhja e katërt e të dy qeverive do të fokusohet te fitimi i kohës së humbur dhe sot kemi rënë dakord për ta vendosur fokusin në fushat ku ka nisur procesi, por progresi nuk ka qenë i mjaftueshëm.

Së pari, në lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit që jetojnë në të dy anët e kufirit: lëvizje e lirë në kufi. Qytetarët ndeshen me një mur absurd që duam ta shembim, për ta nisur vitin e ardhshëm me një kufi simetrik, në ngjashmëri me kufijtë midis vendeve të BE-së. Natyrisht që nuk do të hiqen për fare kontrollet, por do të jenë të rralla”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shtoi se do të ketë “ekuivalentim diplomash dhe lehtësim në aksesin e tregut të punës që sot është problem për të rinjtë”. Gjithashtu, Rama tha se “Porti i Durrësit nuk është vetëm porti i Shqipërisë, por edhe porti i shqiptarëve të Kosovës. Duhet të kthehet në doganë të njehsuar të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e padrejtë që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë të përballen me dy palë doganierë. Kjo do të finalizohet në mbledhjen e 27 Nëntorit”. Ndërkohë, Ramush Haradinaj deklaroi: “Shqiptarët nuk na kanë lënë kurrë vetëm në rrugëtimin tonë dhe duam që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku”.