Ramiz Kelmendi pritet të zëvendësohet nga Bajram Zejnullahu ose Bajram Rexhepi

27.10.2016 16:57:33

Pas emërimit zëvendëskryeministër, Ramiz Kelmendi ka dhënë dorëhqeje nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Pak para së të emërohet nga kryeministri Mustafa në këtë pozitë, Kelmendi ishte bërë pjesë e LDK-së, megjithatë, ai në Kuvend do të zëvendësohet nga një kandidat i PDK-së, e jo i LDK-së siç mund të ketë hamendësime.

Lajmi.net nga burime brenda KQZ-së merr vesh se deputeti i dorëhequr zëvendësohet nga subjekti me të cilin e ka fituar mandatin e deputetit, që i bie se Kelmendi do të zëvendësohet nga një kandidat i PDK-së.

Lajmi.net po ashtu merr vesh se Ramiz Kelmendi do te zëvendësohet nga Bajram Zejnullahu, i cili është me radhë sipas numrit të votave, pasi që para tij, Naim Baftiu do ta zëvendësojë Fadil Demakun e dorëhequr dje.

Megjithatë, Bajram Zejnullahu mund të mos e pranoj mandatin e deputetit, meqë aktualisht është anëtar i Bordit të AKP-së.

Nëse Zejnullahu nuk pranon, atëherë pritet kthimi i ish kryeministrit dhe ish ministrit, Bajram Rexhepi në Kuvend.