Raporti i KE: Ku ka bërë progres dhe ku ngec ende Shqipëria?

20.10.2021 09:15:03

Në raport-progresin e Komisionit Europian vlerësohet, se Shqipëria e MV i kanë plotësuar të gjitha kushtet për hapjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE. Por përcaktohen edhe reformat prioritare për të ardhmen.

Komisioni Europian (KE) miratoi të martën, (19.10) Paketën e Zgjerimit 2021 dhe vlerësoi situatën dhe progresin e arritur në vendet e Ballkanit Perëndimor (BP) dhe Turqi në proceset e tyre respektive drejt hyrjes në Bashkimin Europian. Vëmendje e veꞔantë i është kushtuar reformave themelore dhe udhëzimeve të qarta për reformat prioritare në vijim, theksohet në njoftimin për shtyp të KE. Josep Borrell, Zv. Presidenti i KE, njëherazi Përfaqësues i lartë i BE për Politikën e Jashtme, citohet të ketë thënë që  “përqasja e metodologjisë së re të zgjerimit është në bazë meritash me fokus në reformat themelore të tilla si sundimi i ligjit, ekonomia, funksionimi i institucioneve demokratike dhe lënia mënjanë e dallimeve mes vendeve kandidate për anëtarësim.”Borell ka kërkuar që BE të mbajë “një process të besueshëm zgjerimi”.

Ndikim negativ për besueshmërinë e BE

Raporti, i cili përfshin periudhën një vjeꞔare qershor 2020-qershor 2021, konstaton se “Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut (MV) po vazhdojnë të plotësojnë kushtet për hapjen e negociatave të hyrjes në BE dhe të dyja vendet po përparojnë në mënyrë të qëndrueshme në rrugën e reformave të BE.” “Vonesat në hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe MV kanë një ndikim negativ në besueshmërinë e BE. Çështjet dypalëshe të mbetura pezull midis Bullgarisë dhe MV duhet të jenë ꞔështje prioritare. Është shumë e rëndësishme që shtetet anëtare të BE të përfundojnë Kuadrot Negociuese pa vonesë të mëtejshme që konferenca e parë ndërqeveritare me të dyja vendet të mbahet sa më parë që të jetë e mundur dhe para mbylljes së këtij viti”, thekson raporti.