Reagojnë studentët: Nuk pranuam të takohemi me ministrin Bytyqi

04.03.2018 22:08:02

Pas njoftimit se ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi është takuar sot me përfaqësues të organizatave studentore, ka reaguar Unioni i Studentëve të Kosovës (USK).

Përmes një komunikate Unioni i Studentëve të Kosovës, thotë se “përfaqësuesit e ligjshëm të studentëve (USK, Parlamentet Studentore dhe Këshillat Studentor) kanë refuzuar të takohen me Ministrin Bytyqi deri sa të dakordohemi për hapat që do të marrim pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR. Ne nuk jemi kundër takimit të tij me studentë, por ata që janë takuar me të nuk paraqesin zërin e studentëve kosovarë”.

“Po u rikujtojmë se USK dhe përfaqësuesit e studentëve të të gjitha universiteteve publike dhe kolegjeve private do të dalin nesër në ora 12 në zyrat e Parlamentit Studentor të UP-së në konferencë për media ku do të shpaloset qëndrimi ynë dhe hapat që do të ndjekim në vijim”, thuhet në njoftimin e USK.

Ndryshe, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, përmes një komunikate ka njoftuar se ministri Shyqiri Bytyqi, ka takuar sot përfaqësuesit e organizatave studentore, të cilët i ka siguruar se nuk ka asnjë problem për njohjen e diplomave të studentëve nga BE, duke thënë se MASHT brenda 90 ditësh do të ankimohet për t’u rikthyer si pjesë e EQAR-it.