RTK: Xhandarmëria serbe shkel 8 kilometra në brendi të territorit të Kosovës

06.06.2019 20:11:11

Xhandarmëria serbe ka vazhduar provokimet ndaj shtetit të Kosovës.

RTK merr vesh nga burimet e veta se ditë më parë pikërisht me 31 maj të këtij viti, në fshatrat e thella të malësisë së Kamenicës, një ekip prej katër pjesëtarë kufitarë nga xhandarmëria serbe janë futur në territorin e Kosovës duke lëvizur rreth 8 kilometra nëpër territorin e Kosovës.

Po sipas RTK-së, ngjarja ka ndodhur në fshatin Svircë e Kamenicës.

Siç shkruan tutje ky medium, pjesëtarët e xhandarmërisë serbe janë futur në një rrugë malore afër pikës kufitare në ‘Kapi’ rrugë e cila të çon në fshatin Svircë dhe ka lidhje me fshatin Sjarinë në Serbi.

“Xhandarët serbë kanë lëvizur nëpër territorin e Kosovës më shumë se tetë kilometra, derisa kjo rrugë gjendet rreth dy kilometra vijë ajrore brenda territorit të Kosovës”.

“Gjatë lëvizjes së tyre nëpër territorin e Kosovës, nuk ka pasur ndonjë ekces ose ndonjë ndalesë të qytetarëve të cilët posedojnë ferma në atë rajon ose merren me prerje të pyjeve, por banorët janë shqetësuar nga veprimi i xhandarmërisë serbe”.

“Ky është një provokim i radhës i shtetit serb ndaj shtetit të Kosovës, pasi që kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë”, shkruan mediumi publik RTK.