Rusia i fajson SHB-të për afrim të rrezikshëm të aeroplaneve

29.10.2016 19:51:56

Zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, i ka fajësuar forcat e Shteteve të Bashkuara për afrimin e rrezikshëm të aeroplanëve mbi Siri këtë muaj.

Zyrtarët amerikanë më herët kanë thënë se aeroplani i Rusisë i ishte afruar shumë një aeroplani të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Sipas tyre, incidenti më 17 tetor, nuk duket se ishte kërcënues, por ishte shkaktuar nga piloti rus, i cili e kishte humbur “njohjen e situatës”.

Por, zëdhënësi i Ministrisë së mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, sot i ka hedhur poshtë këto vlerësime, duke thënë se një aeroplan radarik amerikan, i tipit E-3, papritmas kishte ndërmarr ulje në incidentin e 17 tetorit.

Sipas tij, aeroplani amerikan kishte ardhur në distancë prej 500 metrash nga aeroplani luftarak rus, i tipit Sukhoi Su-35.

Meqë shumë aeroplanë fluturojnë mbi Siri, operacionet ushtarake ruse dhe amerikane kanë procedura të komunikimit për ta reduktuar rrezikun e ndeshjeve ose afrimeve të rrezikshme në hapësirë.