Serbët bëjnë analiza: Cili lider nga Kosova do të ishte më pak i keq për dialog?

08.06.2017 16:05:42

Zgjedhjet në Kosovë janë duke u përcjellur nga afër edhe tek mediat serbe, të cilat po mundohen të tregojnë me analiza të ndryshme se cili lider politik nga Kosova do të ishte më i denjë për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd.

 
 Kjo vëmendje ka ardhur sidomos pas deklaratave të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj i cili kërkoi përfshirjen e Amerikës në dialog.

“Lojtarët kryesorë në skenën politike të Kosovës u ndanë në tri blloqe dhe të dielën do të jetë një luftë e vërtetë mes tyre. Në njërën anë PDK-ja së bashku me Nismën për Kosovën, dhe Aleancën për Ardhmërin e Kosovës. Në anën tjetër LDK-ja me AKR-në, dhe Vetëvendosja e vetme”, shkruan gazeta Blic e Serbisë.

Por sipas analistëve serbë cilido liderë që të vie në pushtet do të ketë synim që ta forcojë pavarësinë e Kosovës.

“Vetëm ai që ka mbështetje të gjerë, jo vetëm shumicën parlamentare do të jetë në gjendje për ta vazhduar dialogun. Në rastin e qeverisë Mustafa e kemi parë se kjo nuk është e mjaftueshme. Në Kosovë të gjithë e kanë një qëllim të përbashkët që ta forcojnë sovranitetin dhe pavarësinë”, ka thënë Dushan Janjiq nga forumi për Marrëdhënie etnike në Serbi,Kryetari i komisionit parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun ka thënë se ata janë duke pritur rezultatet zgjedhore për të parë mënyrën se si duhet të vazhdohet pastaj dialogu.

“Më e rëndësishmja është që ka një gatishmëri për të diskutuar dhe për të zbatuar marrëveshjet. Isa Mustafa partneri më i mirë? Mustafa ishte partneri më pak i keq në vazhdimin e bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, ka thënë Drecun.

Në këtë raport të gazetës Blic, flitet për secilin lider që mund ta udhëheq dialogun, duke nisur nga presidenti Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, dhe Behgjet Pacolli.

Kurse Lëvizja Vetëvendosje, nga Janjiq u quajt si ‘parti e vogël’.