Shëndeti i gjyshes përmirësohet kur ajo kujdeset për nipërit dhe mbesat

12.12.2016 15:51:18

Kur bëheni gjyshe, nuk ka gjëra tjera më të mira sesa kalimi i kohës me nipërit dhe mbesat. Dhe, sipas hulumtimeve, kujdesi për nipërit dhe mbesat jo vetëm që ju shton kënaqësi në jetë, por edhe ju mbanë të mprehtë si thikë gjatë viteve të arta.

Hulumtimet e publikuara në revistën “Menopause”, tregojnë se gjyshet të cilat kujdesen për nipërit dhe mbesat të paktën një ditë në javë, përmirësohen në aftësitë kognitive – gjë që e cila ka bërë hulumtuesit të arrijnë në konkludimin se shpenzimi i kohës duke u kujdesur për të dashurit tuaj e zvogëlon rrezikun e zhvillimit të çmendurisë dhe sëmundjes Alzheimer.

Por, zbulimet kanë treguar se edhe kujdesi i tepërt është i dëmshëm. Gjyshet të cilat janë kujdesur për nipërit dhe mbesat pesë ditë apo më shumë gjatë një jave, kanë shënuar më pak pikë në testet kognitive, krahas atyre që janë kujdesur vetëm një ditë në javë për të dashurit e tyre.

Përderisa arsye për këtë ndërlidhje është ende e paqartë, studime tjera tregojnë se kontakti shoqëror i ndihmon të vjetrit të qëndrojnë mendërisht të shëndetshëm.