Shfletime historike-19 vjet nga Epopeja e lavdishme e UÇK-së në Prekazin legjendar (2)

10.03.2017 13:27:49

Nga Jusuf Bytyçi

Varrimi përfundon, hoxha Fetah Bekolli, kryen si duhet ritet fetare. Rreshtohemi para varreve dhe bëjmë homazhet sipas zakonit të Botës së civilizuar, me heshtje të thellë e përkulje koke, thotë Dr. Cana në ditarin e robërisë.

Pos Fetah Bekollit, më 11 mars 1998, ditën kur përfundimisht u varrosën të rënët në Prekaz, s’kishte hoxhë tjetër! Ky është një akt i lartë i vetë martirizimit individual e kolektiv, ç’ prej kohës së lashtë e deri në ditët e sotme- i denjë për të zënë vend në Antologjinë Botërore”, qe shprehur historiani dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dr. Zekeria Cana, duke e vlerësuar aktin e flijimit të familjes Jashari.
Kur ju kemi parë juve profesor, ne sikur u ngjallëm dhe dolëm në rrugë për aktivitete, do të rrëfejë më pas Dr. Salihu. Forcat barbare serbe donin ta pengonin ceremoninë e dinjitetshme të varrimit në Prekaz.

Profesor Dr. Zekeria Cana, pati kujtuar shkuarjen në zyrën e Degës së LDK-së në Skenderaj. Kryetari Idriz Rrecaj, gjithnjë është i ngujuar në Llaushë ku zhvilloheshin luftimet. Ai ka ndihmuar kontaktet e aktivistëve të Malishevës dhe nga qendra të tjera të Kosovës, me Drenicën. Një kontribut të çmuar gjatë atyre ditëve në Drenicë, ka dhënë edhe Dr. Bajram Mëziu e njerëz të tjerë të devotshëm për të cilët do të kemi raste të shkruajmë në forma tjera.
Duke evokuar ngjarje të rëndësisë historike, veprimtarët Cen Desku e Fetah Bekolli, kujtuan edhe vizitën e një pjese të ish-kryesisë së Degës së LDK-së së Malishevës në Prekaz, fill pas sulmit të forcave serbe ndaj familjes Jashari, më 30 dhjetor 1991. Në atë vizitë, në Kullën e Shaban Jasharit, ishin ish-kryetari Isni Kilaj, nënkryetari Cen Desku dhe anëtarët tjerë të kryesisë së Degës së LDK-së Fetah Bekolli e Jusuf Bytyçi, si dhe Mejdi Cikaqi, nga Dobërdelani i Suharekës, shoferi i veturës, që ishte nipi i Fetahut. Ditën që e vizituam Prekazin dhe Kullën e Shaban Jasharit, rrugëtimin e kishim përplot vështirësi, madje vetëm Zoti na shpëtoi nga barbarët serbë, që na ndalën në udhëkryqin e Skenderajt, tek sapo largoheshim nga Prekazi.

Ndërsa, duke fokusuar ngjarjet për Prekazin dhe sidomos periudhën e rënies e të ceremonisë së varrimit të komandantit legjendar Adem Jashari e familjes Jashari, që nga 9 marsi e deri më 11 mars 1998, historiani i shquar Dr. Zekeria Cana, në librin e tij “Ditari i robërisë” shkruan se “sot është vetëm një rrugëtim- drejt Drenicës, qoftë edhe me rrezik jete”. Dr. Cana kujton Ramizin, shofer trim, pastaj infermieren e palodhshme e trime, Sanije Deskun, takimet me burrat e Malokëve, Limanin, Izetin e Dervishin e vrarë në luftë e të tjerë. Izet Maloku, prind i dy luftëtarëve në UÇK, Rasimit dhe Halimit, të dy dëshmorë, dhe Liman Maloku, po ashtu ushtar, ndihmuan karvanin. Një qeleshebardhë, që Rasimi i kishte blerë babait të tij Izetit, ia dhuruan profesorit Cana. Me atë plis, profesori hyri në Drenicë për te Jasharajt. Po me këtë rast, do rikujtuar se profesor Dr. Zekeria Cana, me t’u kthyer në familjen e tij në Prishtinë, ua ka lënë amanet familjes që kur të vdes, të varroset me atë plis që ishte dhuratë e një ushtari të UÇK-së, që ra dëshmor në luftën për liri. Kështu edhe ndodhi, amaneti i dërgua në vend, pasi ditën e varrimit të profesor Canës më 11 janar 2009, krahas Flamurit kombëtar, mbi arkivolin e tij qëndroi deri në varr plisi i bardhë.
Veprimtarët Cen Desku e Fetah Bekolli, si dhe autori i këtij Fejtoni J.B., si gazetar, si ish- pjesëmarrësit e vizitave më të para në Zonën e Luftës, në Drenicë, si dhe pjesëmarrësit e varrimit të guximshëm dhe meritor të komandantit legjendar Adem Jashari, do të kujtojnë edhe shumë vizita paraprake në Drenicë, ku e kanë shprehur solidaritetin dhe përkrahjen e tyre me familjen e Shaban Jasharit në Prekaz. Cen Desku, me veprimtarët Bilall Kryeziun, ish i burgosur politik, gazetarin J.B., Mulla Xhevat Kryeziun, pajtimtar, dhe Avdyl Kryeziun, vëllain e dëshmorit Ali Kryeziu, rënë më 30 janar 1990 në Malishevë, vizituan familjen Jashari pas rezistencës që komandanti Adem Jashari me babanë Shabanin, vëllain Hamzën dhe familje bënë më 22 janar 1998 në Prekaz, kundër forcave të ish okupatorit serb.
Këta si dhe mjekët Avdyl Salihu dhe Gani Shabani, kanë rikujtuar edhe kontributin e ish mjekut gjinekolog tani dëshmor kombi Fahredin Hoti nga Krusha e Madhe e Rahovecit. Bashkë me Cen Deskun, bashkëshorten e tij zonjën Sanije Desku dhe Bajrush Hotin, tani mjek, kanë dërguar ilaçe në zonat e luftës, ndërsa pacientëve të shumtë, u kanë dhënë edhe ndihmën e nevojshme. Pjesë e kontributit është edhe Sedat Sertolli, nga Bellanica, pronar i barnatores private, që dhuronte ilaçe për atë kohë. Grupi nga Malisheva, me ndihma sidomos në ilaçe, veshmbathje e gjëra të tjera, për zonat e luftës në Drenicë, kanë hyrë më 8 mars, duke shfrytëzuar rrugët përmes grykës së Llapushnikut, nëpër Krajkovë, Damanek, Baicë, Obri, Likoc e Rezallë. Ky rrugëtim është bërë me një kujdes e vëzhgim të jashtëzakonshëm gjatë natës. Grupi përbëhej nga Cen Desku, Gani Krasniqi, Skënder Krasniqi, Hazir Krasniqi, Nuhi Kryeziu, Nuhi Shala etj. Atë kohë, brenda disa ditësh, falë aktivitetit të ish-kryesisë së Degës së LDK-së në Malishevë, së bashku me aktivet dhe nëndegët e LDK-së në terren, për në Drenicë, në Zonën e Luftës për Liri, kryesisht në Shtabin e Likocit, krahas ndihmave tjera në ushqim, ilaçe, veshmbathje e armatim, janë dërguar edhe afro 100 mijë marka gjermane.

Do rikujtuar se ideali i komandantit legjendar Adem Jashari dhe i të rënëve tjerë të UÇK-së, ishte liria e plotë, Pavarësia e Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë. Ishte padyshim edhe një Kosovë ndryshe, e prosperuar, me mirëqenie ekonomike-sociale dhe që nuk do të zhytet në varfëri, në krim e korrupsion.
Dr. Zekeria Cana kujton edhe 15 shkurtin, kur ka qenë në vizitë para se të nisë lufta e gjerë frontale në Prekaz, ku e kishte pritur baca Shaban me të shoqen e tij Zahiden, si dhe nipërit e mbesa, të cilët i ishin hedhur në qafë profesorit, se “edhe ty të kemi gjysh”. Duke i kujtuar fjalët e bac Shabanit, “se kemi vendosur të bëhemi kurban për Drenicë, Kosovë e Shqipëri”, Dr. Z. Cana, vlerëson se ky është një akt i lartë i vetë martirizimit individual e kolektiv, ç’ prej kohës së lashtë e deri në ditët e sotme- i denjë për të zënë vend në Antologjinë Botërore”. Këtë, historiani dhe veprimtari i dalluar i çështjes kombëtare Dr. Zekeria Cana, e pohonte, duke e vlerësuar lart vetëflijimin vullnetar të familjes Jashari në shërbim të arritjes së lirisë kolektive për popullin e Kosovës.
Liria solli nuse, lindje, pasardhës: djem e vajza, që janë pasuria e lirisë
Në bisedat me veprimtarët Cana, Desku e Bekolli, si dhe nga të tjera burime, që autori i këtij fejtoni i ka siguruar gjatë vizitave që kemi bërë në Prekaz, mësojmë se deri më 5 mars 1998, familja e Shaban Jasharit kishte 30 anëtarë, 20 nga të cilët ranë në altarin e lirisë. Nga 10 anëtarët e mbetur të familjes së Shaban Jasharit, dy veta, përkatësisht Bashkimi dhe Besarta, kanë mbijetuar mu në betejën e ashpër midis forcave çlirimtare të komandantit legjendar Adem Jashari dhe forcave të okupatorit serb. Katër veta, si Rifati, Murati, Bekimi dhe Lulëzimi në atë kohë kanë qenë në mërgim, derisa katër anëtarë të tjerë të kësaj familje, si Iliriana (e plagosur më 22 janar 1998), Shqipja e komandantit, Fazliu e Marigona, kanë qëlluar atë kohë te dajët në Akrashticë.

Nëntëmbëdhjetë vjet nga Epopeja e UÇK-së, kujtojmë se në betejën e Prekazit ranë 56 dëshmorë e martirë në mesin e të cilëve 12 femra, 2 të moshës mbi 70 vjeçare, 11 veta nën moshën 18 vjeç. Pos bac Shabanit, si kryefamiljar dhe nënë Zahides që kishin nga 74 vjeç, ranë edhe Adem Jashari 43 vjeç bashkë me të shoqen Adilen 40 vjeç dhe djemtë Fitimin 17 e Kushtrimin 13 vjeç, pastaj heroi Hamëz Jashari 47 vjeç me gruan Feriden 43 vjeç, djemtë Besimin 16 e Blerimin 12 vjeç si dhe vajzat Selveten 20, Afeten 17, Lirinë 14, Fatimen 9 dhe Blerinën 7 vjeç. Prej 5-7 mars 1998, nga kjo familje ranë edhe bashkëshortja e Rifatit–Zarifja 49 vjeç me djalin Igballin 13 vjeç dhe vajzat Hidajeten 18 vjeç, Valdeten 15 dhe Igballen 11 vjeç. Rënia e këtyre dhe 36 martirëve tjerë nga familja e gjerë Jashari, si dhe nga rrethi i miqve të kësaj familje në të vërtetë i dha një vulë të pashlyeshme ngjarjeve të kohës në Kosovë, mbase edhe në gjithë botën shqiptare.
Po me këtë rast do rikujtuar Ilirianën dhe Selvetën të plagosura në betejën e 22 janarit 1998, por që kjo e dyta ra më pas bashkë më 19 anëtarët e ngushtë të komandantit legjendar, derisa Iliriana ka mbijetuar.
Ndërsa 19 vjet pas, familja e komandantit legjendar, ka afër 40 anëtarë. Familja e komandantit Adem Jashari, e bac Rifatit, kryefamiljarit të tashëm të kësaj familje legjendare, që ka hyrë në analet e historisë më të re jo vetëm të popullit të Kosovës, por edhe më gjerë, ka tash shumë fëmijë, të cilët kanë përtërirë emrat e paraardhësve, përkatësisht bacë Shabanit, heronjve Hamëz e Adem, si dhe lokes së madhe Zahide etj./fund