Shqipëri: Kapet vrasësi i Devi Kasmit dhe grupi kriminal. Ekzekutor, një ish-polic grek

02.02.2018 14:29:13

Autori i vrasjes së Devi Kasmit është arrestuar nga policia, e cila ka deklaruar se është goditur edhe grupi i strukturuar kriminal që qëndron pas këtij ekzekutimi

Aurel Hoxhallari, i cili dyshohet si porositësi i vrasjes dhe organizatori i grupit kriminal është shpallur në kërkim nga policia.

Ndërsa shtetasi grek, Eftimiu Eftimius, dyshohet si vrasësi i Kasmit. Eftimiu ka qenë anëtar i forcave speciale greke, por u përjashtua si i përfshirë në trafik droge. Atij iu gjetën euro dhe para shqiptare, që dyshohen se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Në një konferencë për shtyp të kreut të policisë së Tiranës Ardi Veliu, u bë e ditur detajet e operacionit të koduar “Enigma”.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Ardi Veliu deklaroi mesditën e sotme se në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, u finalizua me sukses goditja e grupit të strukturuar kriminal “Enigma”.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan në flagrancë Elton Halipaj, 36 vjeç, lindur në Skrapar e banues në Tiranë; Efthymiou Efthymious, 41 vjeç, lindur e banues Arta, Greqi; Malvin Dinellari, 30 vjeç, lindur në Korçë e banues në Tiranë dhe Elton Hoxhallari, 36 vjeç, lindur  e banues në Tiranë.

Gjithashtu u shpall në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, 41 vjeç, lindur e banues Tiranë.

Ky operacion u kurorëzua nga informacionet e grumbulluara, si dhe provat e administruara nga grupi hetimor në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datë 29 Janar 2018, ku në rrugën “Petro Çani” u vra me armë zjarri Devi Kasmi.

I shpalluri në kërkim (Altin) Aurel Hoxhallari, dyshohet si organizatori i këtij grupi të strukturuar kriminal.

Elton Halipaj akuzohet se ka siguruar mjetet e nevojshme për kryerjen e krimit.

Shtetasi grek Efthymiou Efthymious, dyshohet në rolin e ekzekutorit të Kasmit si vrasës me pagesë, ndërsa rezulton se ka qenë pjesë e forcave speciale të policisë greke nga viti 1992 deri në 2012, kur dhe u përjashtua si i përfshirë në trafik droge.

Në momentin e arrestimit, atij iu gjetën me vete një sasi e konsiderueshme eurosh dhe parash shqiptare, që dyshohet se i ka përfituar si shpërblim për vrasjen.

Sakaq Malvin Dinellari ka siguruar mjetet dhe përgatitur infrastrukturën për realizimin e vrasjes.

Ndërsa Elton Hoxhallari dyshohet si bashkëpunëtor në sigurimin e mjeteve dhe përgatitjen e infrastukturës për realizimin e vrasjes.

Gjatë këtij operacioni janë ushtruar kontrolle në disa banesa të autorëve të dyshuar si dhe në një vilë të ndodhur në periferi të Tiranës, në pronësi të organizatorit të këtij grupi, e cila shërbente si bazë e grupit.

Si rezultat i kontrolleve të kryera në këtë vilë është gjetur një arsenal armësh, municionesh, eksplozivësh, raketa hedhës, armë të preçizionit të lartë, minë me telekomandë, dylbi, radio ndërlidhje si ato të policisë, të cilat funksiononin në grup, maska, veshje kamoflazhi, etj.

Gjatë operacionit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjeti, i cili dyshohet se është përdorur në kryerjen e vrasjes.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 pistoleta, njëra prej tyre e dyshuar si arma e krimit; 4 armë automatikë; dy snajperë; katër pushkë automatike; një armë antitank me dy predha; një bombë me telekomandim në distancë; një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive C4 dhe tritol; 4 radio marrëse; një dron; 110 kg kanabis dhe dy maska

Devi Kasmi u vra mbrëmjen e 29 janarit  pranë godinës së SHISH në Tiranë, në një rrugicë të errët në rrugën “Kongresi i Manastirit”.

Ndërkohë është ndërprerë edhe seanca për Mario Meshinin, i cili u arrestua si bashkëpunëtor në vrasjen e 41-vjeçarit.

Të arrestuarit janë:

Elton Halipaj

Eftimiu Eftimius

Malvin Dinellari

Enton Hoxhallari

Aurel Hoxhallari, është i shpallur në kërkim, ndërsa është edhe organizatori i këtij grupi kriminal.