Shqipëri/ Reagimet kundër vendimit të Metës për Teatrin, Presidenca: Keqardhje!

28.07.2018 12:48:15

Pas kthimit në Kuvend të ligjit për Teatrin Kombëtar nga ana e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, një sërë reagimesh pasuan vendimin. Kryebashkiaku Erion Veliaj e cilësoi një zhgënjim vendimin e Metës, ndërsa opozita e përshëndeti vendimin për kthimin e ligjit.

Presidenca ka reaguar sot me anë të zëdhënësit Tedi Blushi, ku thuhet se Meta po ndjek reagimet politike pas vendimit dhe shpreh keqardhjen për të gjitha deklaratat emocionale e të pathelluara.

“Presidenti i Republikës, duke ndjekur reagimet politike pas publikimit të dekretit për kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit, shpreh keqardhjen për reagimet sipërfaqësore, emocionale e të pathelluara”, thuhet në komunikimin e Tedi Blushit, zëdhënësit të presidentit Ilir Meta.

Më tej në reagimin e tij Tedi Blushi bën me dije se Presidenti Meta i fton të gjithë të shqetësuarit për ndërtimin e një teatri të ri të kenë durim e të lexojnë me objektivitet dekretin, të gjithë arsyetimin, argumentet dhe konstatimet ligjore të cilat bazohen vetëm në Kushtetutën e Shqipërisë, konventat e marrëveshjet ndërkombëtare ku vendi ynë është palë, detyrimet që lindin prej tyre dhe legjislacionin tonë në fuqi.

Sipas presidencës nëse të gjitha palët do të udhëhiqen vetëm nga interesi kombëtar dhe publik, jo vetëm garantohet ruajtja e kompleksit teatror e restaurimi i tij si pjesë e trashëgimisë kombëtare, por edhe garantohet ndërtim i teatrit të ri në mënyrën më transparente e më të përgjegjshme, duke respektuar plotësisht legjislacionin aktual si dhe duke shmangur çdo konflikt artificial.