Shqipëri: Reforma zgjedhore, tension në Kuvend, Basha: Kërkoni t’i mbyllni gojën opozitës

05.10.2017 11:10:04

Është shoqëruar me tensione seanca e sotme në kuvendin e Shqipërisë që në nisje të saj, pas kërkesës së opozitës që ngritja e komisiont për reformën zgjedhore të shoqërohet me debat dhe diskutime në kuvend.

Vendimi i marrë nga kreu i kuvendi që diskutimi për këtë gjë të shtyhet për javën tjetër ka reaguar ashpër kreu i PD, Lulzim Basha. Në fjalën e tij nga foltorja e kuvendit, Basha i ka kërkuar kryeparlamentarit Ruçi të mbledhë urgjent konferencën  e kryetarëve dhe të vendosë në rend të ditës diskutimin për reformën zgjedhore të cilën e cilësoi çështjen më të rëndësishme për shqiptarët sot.

Basha lëshoi një lum akuzash për qeverinë dhe mazhorancës të cilën e cilësoi si mazhorancë fiktive në aleancë me krimin. Pasi i ka sqaruar se rendi i ditës është vendosur Ruçi i ka kërkuar Bashës të lirojë foltoren gjë që ka sjellë edhe reagimin e deputetëve të tjerë të opozitës që janë ngritur të gjithë në këmbë në mbrojtje të kryetarit të tyre.

“Jeni një mazhorancë fiktive, në aleancë me krimin. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë gjatë. Mblidh Konferencën e Kryetarëve dhe vendos për një afat të arsyeshëm debati. Nuk mund të shtyhet debati për një javë. Shtyrja e debatit ka vetëm një qëllim, t’i mbyllësh gojën opozitës”, ka thënë Basha.

Nga ana e tij Ruçi ka sqaruar se, nuk ka sens të mblidhet Konferenca kur Parlamenti është mbledhur për rendin e ditës.

“Propozohet një votë pro dhe një kundër, qoftë për zgjedhje nga rendi i ditës. Një kryetar grupi ishte për debat, dy kryetarë grupesh ishin për diskutimin javën tjetër. Nuk mundet që Konferenca e Kryetarëve të marrë atributet që i ka seanca parlamentare. Kjo është një çështje e mbyllur”, ka thënë Ruçi.

Në këto kushte Ruçi është detyruar të kërkojë 5 minuta pushim, ndërsa e ka paralajmëruar Bashën se mund të pezullohet nga seanca për thyerje të rregullores.