Shtatëdhjetë vjetori i luftës së nacionaldemokratëve shqiptarë kundër forcave jugosllave, mbi fshatin Hoçë e Qytetit

07.08.2016 14:53:53

 

Nga Çerkin Bytyçi

Nesër, më tetë gusht bëhen plotë 70 vjetë që kur, në vendin e quajtur “Te Mali i Xhamisë” mbi fshatin Hoçë të Qytetit, njësitë e atdhetarëve të njohur nacional-demokratë nga treva të ndryshme të Kosovës, zhvilluan një luftë të madhe me forcat policore dhe ushtarake jugosllave, duke dëshmuar vendosmëri dhe heroizëm të jashtëzakonshëm për sendërtimin e idealeve të bashkimit kombëtar.
Në këtë luftë, morrën pjesë nacionaldemokratët shqiptarë të njohur si Gjon Serreçi, Ajet Gërguri, Ibrahim Lutfiu, Azem Bellaqevci, Osman Bujaku, Kadri Beba, Islam Domaneku, Hilmi Zariqi, mjeku Hamit Ahmeti – Boshnjaku, Sadri Duhla, Salih Rexha, Rexhep Salihu, Hysen Lutani, Qerim Gashi, Ismail Dragusha, Fetije Kelmendi, Shemsi Mramori, Qerim Banulla, Osman Gagica, Izet Murat Gjoshi, Bajrush Zuka, Mustafë Kadriu, Zeqir Latif Dellovci, Nijazi Alishani, Ali Riza…, Destan Sahit Berisha nga Billusha, Shefik Halili me të dy bijtë e tij, Beqirin e Avdiun nga Zgatari i Opojës dhe shumë të tjerë nga Hoça e Qytetit, Billusha, Jeshkova, Zhuri, Opoja etj.
Gjatë luftimeve të ashpra disaorëshe të zhvilluara me këtë rast, në altarin e atdheut ranë: Ahmet Shipoli, Emin Fejzullah Saraçi nga Bivolaku i Vushtrrisë, Isuf Muharremi nga fshati Petrovë afër Shtimes, predha armike ia kishte shkurtuar dy këmbët Beqë Zeqir Gjurkocit, (i cili pas tri javësh vritet në një spital të Prizrenit dhe e varrosin në varrezat e qytetit kurse varri nuk i dihet), ndërsa ishte plagosur rëndë kryetrimi i pararojës Sadri Sahit Duhla si dhe Nezir Buja, Rrahman Gashi, Qaushi e disa luftëtarë të tjerë. Nga njësitë ushtarake jugosllave u vra, në këtë ditë edhe Rrustem Myftari nga Jeshkova, i cili u hetua, duke u dërguar ushqim ballistëve “Te Mali i Xhamisë”.
Në kujtim të kësaj lufte të ashpër dhe trimërisë e heroizmit të luftëtarëve të shumtë që luftuan kundër njësive policore-ushtarake jugosllave te mali mbi fshatin Hoçë të Qytetit si dhe në kujtim të luftëtarëve të rënë e të të plagosurëve në këtë betejë, do të ishte mëse e nevojshme që nga Komuna e Prizrenit, te vendi i quajtur “Te Mali i Xhamisë” nën Gurin e Kallugjerit te Mali Gjerman, të ngritet një monument përkujtues, që do t`iu shërbej gjeneratave të tashme e të ardhshme të kujtojnë heroizmin e trimave për mbrojtjen dhe lirinë e vendit si dhe kontributin e çmueshëm të vërrinasëve dhënë kësaj dhe luftërave të shumta për liri.
Ndërkaq, në fshatin Billushë, të inicohet ngritja e një monumenti për ballistin Destan Sahitin-Berisha i cili, pas luftimeve të 8 gushtit të vitit 1946, ka arritur të migroj në SHBA ku edhe para disa vitesh ka vdekur. Poashtu në fshatin Zgatar, t’iu ngritet një monument përkujtimi ballistit Shefik Halili i cili me djemtë e tij, Avdiun dhe Beqirin, kanë marrë pjesë aktive në lëvizjen nacional demokrate dhe në luftërat e përmendura.
Mendoj se ky vit, duhet të jet vit i lindjes së nismave për të realizuar aktivitetet të cilat do të përkujtojnë këtë ngjarje gjithësesi me rëndësi të madhe historike.