Shtatzëna vdiq në maternitet, autopsia: Aidës iu ça ena kryesore e gjakut

09.11.2016 13:45:38

Del rezultati përfundimtar i ekspertizës mjeko- ligjore të Aida Çajkës, nëna shtatzënë që vdiq në  muajin e 9-të bashkë me foshnjën e saj. Në raport thuhet se Çajka vdiq për shkak të çarjes të enës kryesore të gjakut që furnizon shpretkën.

“Shkak i vdekjes, çarja e enës kryesore të gjakut që furnizon shpretkën”, thuhet në raportin e autopsisë së gruas së re. Pas vdekjes së saj familjarët hodhën akuza mbi mjekët dhe madje 2 prej tyre përfunduan në pranga, por u liruan nga Gjykata dhe u rikthyen në punë.

Për të zbardhur vdekjen e Aidës, që u dërgua në tre spitale, nga “Koço Gliozheni” tek “Nënë Tereza”, më pas në Sanatorium për t’u kthyer sërish në maternitet po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për “mjekim të pakujdesshëm”.

Aktualisht ndodhen nën hetim në gjendje të lirë mjekët Helidon Klosi, Dritan Deçka, Nazmie Ceni dhe një infermiere. Burime të prokurorisë shpjegojnë se hetimet do të jenë më të qarta sapo mjekësia ligjore të kthejë përgjigje për autorësinë në të cilën do të përcaktohen shkaqet e vdekjes.

Kallëzimi ndaj mjekëve është bërë nga vëllai i të ndjerës, Fation Homuri, i cili është personi që e ka çuar të motrën për të lindur.  Familjarët e gruas shpjegojnë në kallëzim se mjekët nuk i kanë dhënë shërbim në kohë 35-vjeçares, duke shkaktuar vdekjen e saj dhe të foshnjës në bark.