Skema e re e KQZ, nxjerr të papunë pesë anëtarët dhe përplas PS dhe PD

24.05.2020 09:35:27

31 maji është afati i fundit i përfundimit të reformës zgjedhore. Kur kanë mbetur edhe një javë nga ky afat, mazhoranca, me anë të ekspertëve të komisionit të posaçëm parlamentare ka paraqitur një skemë të re për krijimin e një administrate të depolitizuar.

Formula e re parashikon vetëm një person të emëruar si kryetari i KQZ-së, i cilësuar si Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ai zgjidhet nga Parlamenti me një mandat 7-vjeçar. Më pas propozohet që të ketë Komisioni Rregullator përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për një mandat 5-vjeçar.

Kjo formulë shkrin KQZ-në aktuale, duke i nxjerrë si të papunë 5 anëtarët aktualë të këtij institucioni, të cilët janë zgjedhur në vitin 2017, pas marrëveshjes politike mes dy liderëve kryesore të politikës, Edi Rama dhe Lulzim Basha.

Ishte pikërisht kjo marrëveshje politike që solli rokadën në KQZ, mes Denar Bibës dhe Klement Zgurit për postin e kryetarit. Zguri nga nënkryetar u emërua si kryetar, ndërsa kryekomisioneri Biba u bë zëvendësi i Zgurit.

Aktualisht sipas shortit të hedhur për mandatin e 5 anëtarëve rezulton se kryekomisionerit Klement Zguri i përfundon mandati në nëntor të 2021, ndërsa anëtarëve Denar Biba dhe Edlira Jorgaqit në janar të 2021. Dy anëtarëve të tjerë Bledar Skënderi dhe Rezarta Bitri i përfundon mandati në vitin 2024.

Tashmë këto mandate do të zhbëhen me formulën e re që pritet të zbatohet, ku palët , mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për shkrirjen e KQZ-së dhe mbajtjen e saj me një profil puro politik.

Por opozita ka kundërshtuar skemën e votimit në Parlament, duke kërkuar paraprakisht një konsensus paraprak në Këshillin Politik për emrin që do të votohet me 84 votat e deputetëve. Duke mos qenë e përfaqësuar në Parlament, PD po kërkon një mekanizëm tjetër, pasi mazhoranca i ka të sigurta 84 votat pro reformës. Pikërisht ky kusht duket se djeg anëtarët e majtë në KQZ që duan të jenë sërish në krye të institucionit të ri zgjedhor. Emrat aktualë nuk mund të pranohen as nga e majta dhe as nga djathta dhe kjo bën që partitë të gjejnë emra të rinj që do të merren me procesin zgjedhor.

Depolitizimi i komisioneve zgjedhore është një nga rekomandimet e OSBE-së dhe të ODIHR-it. Për këtë propozohet se edhe KQV, të jenë të depolitizuar me 3 anëtarë, si dhe grupet e numërimit të votave të përbehen nga dy anëtar, një burrë dhe një grua.

Sakaq opozita po konteston dhe skemën e kolegjit zgjedhor, ku kërkon që gjyqtarët të mos e kenë kaluar vettingun, ose mos t’i ushtrohet presion për këtë proces të vlerësimit kalimtar.