Sveçla deklarohet për situatën në Jarinje: Situata është e qetë, aksioni ka të bëjë me targat e automjeteve

20.09.2021 10:00:46

Forca të shtuara të Njësive Speciale të Kosovës janë drejtuar sot në pikën kufitare Kosovë-Serbi, saktësisht në Jarinje.

Pas kësaj, ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla ka dhënë detaje lidhur me situatën e krijuar atje.

Sveçla deklaroi se bashkë me Policinë e Kosovës në kuadër të aktiviteteve të zakonshme si dhe me qëllimin e ruajtjes së rendit publik dhe kushtetues, janë duke u kryer veprime në të gjitha pikat kufitare.
Sipas tij këto veprime kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë-konkretisht targave të automjeteve, transmeton lajmi.net.

“Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare”, shtoi ai.

Tutje ministri deklaroi që nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide ‘KS’ dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga MPB janë ato me denominimin ‘RKS’Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe mallrave”.