“Topi i Artë” për vitin 2016 është i Ronaldo-s

12.12.2016 23:44:15

Cristiano Ronaldo “Topi i Artë” 2016. Portugezi dhe këtë vit fitoi trofeun më prestigjoz në planet për të katërtën herë në karrierë duke u shpallur fitues nga prestigjozja franceze “France Football” që këtë vit cmimin e dha pa bashkëpunimin e FIFA-s. Një trofe i pritshëm ky për portugezin që arriti të fitojë gjithcka brenda një viti kalendarik duke triumfuar fillimisht në Champions League me Realin e Madridit në finalen e Milanos dhe më pas me Portugalinë, Kampionatin Europian. Pas tij u renditën rivali i tij i përjetshëm, Lionel Messi dhe francezi Antoine Griezmann. Me 51 gola të shënuar në 55 ndeshje përfshi ekipin kombëtar dhe Realin e Madridit, Ronaldo shihej që më parë nga të gjithë si pretendenti kryesor për fitimin e cmimit, “Topi i Artë”.

Finalja e “Stade de France” e fituar nga Portugalia e tij, ku ai u largua që në fillim por duke qenë një frymëzues nga stoli për të tijtë ishte kurorëzimi për këtë cmim prestigjoz pasi pati fituar dhe Uefa Champions League. Sezonin e kaluar, Ronaldo arriti të shënojë në total 16 gola në këtë kompeticion duke qenë dhe kryegolashënues, ndërsa në Europian ishte Këpuca e Argjendtë e kompeticionit me 3 gola. Lionel Messi ndërkohë u penalizua nga dëmtimet e shumta por dhe fakti që nuk arriti të fitojë Copa America me Argjentinën duke humbur sërish në finale përballë Kilit. Antoine Griezmann ndërkohë pavarësisht se ishte shënuesi më i mirë i Europianit u penalizua nga humbja në dy finale, atë të Euro 2016 por dhe Uefa Champions League. Për 31 vjecarin ky ishte Topi i tij i 4-tërt i artë pas atyre të fituar në vitet 2008, 2013 dhe 2014.

Vetë portugezi u shpreh mjaft i emocionuar për fitimin e këtij trofeu duke theksuar se për të është njësoj sikur po e fiton për herë të parë, ndërsa theksoi se fitimi i këtij cmimi individual nuk do të kishte qenë i mundur pa sukseset e Realit të Madridit dhe Kombëtares së Portugalisë, kështu që “Topi i Artë” i përket dhe dy skuadrave të tij, ndërsa si trofeun më të rëndësishëm në karrierën e tij cilësoi fitimin e Europianit francez.