Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje për reformë të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se kjo organizatë nuk e ka shfrytëzuar potencialin e vet.
“Në vitet aktuale Kombet e Bashkuara nuk e kanë arritur potencialin e tyre të plotë për shkak të burokracisë dhe keqmenaxhimit”, tha sot Donald Trump, në një ngjarje të mbajtur në selinë e OKB-së në Nju Hork, ku ai ka synuar të arrijë mbështetje globale për reformim të Kombeve të Bashkuara.
Sipas zotit Trump, Kombet e Bashkuara shpenzojnë shumë para dhe kanë shumë të punësuar.
“Ne nuk shohim rezultate në linjë me këtë investim”, tha Trump.
Në këtë tubim mori pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe liderët e 120 vendeve, që e kanë nënshkruar një propozim-deklaratë në mbështetje të reformave.
Nesër, presidenti amerikan, Donald Trump, për të parën herë flet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, e cila zgjatë deri më 25 të këtij muaji.