Turqia fillon përgaditjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe

04.03.2017 18:52:34

Planprogrami mësimor, i cili përfshin gjuhët shqipe dhe boshnjake, i përgatitur sipas protokollit të nënshkruar në vitin 2016

Në Universitetin e Thrakisë në Edrene të Turqisë, ka filluar përgatitja e përmbajtjes së teksteve shkollore për lëndën e gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake, të cilat nga viti i ardhshëm akademik do të futen si lëndë zgjedhore në shkollat e Turqisë.

Planprogrami mësimor, i cili përfshin gjuhët shqipe dhe boshnjake, i përgatitur sipas protokollit të nënshkruar në vitin 2016 mes Ministrisë së Arsimit të Turqisë dhe Universitetit të Thrakisë, ishte pranuar javën e kaluar nga Këshilli Turk i Arsimit dhe Disiplinës.

Pas vendimit, ekspertë nga Departamenti i Gjuhëve dhe Letërsisë Ballkanike pranë Fakultetit të Letërsisë pranë Universitetit të Thrakisë, kanë filluar përgatitjen e përmbajtjes së teksteve shkollore për dy gjuhët.

Profesorë të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake pranë fakultetit janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e teksteve pas miratimit të planprogramit të përgatitur.