UEFA dënon ashpër Milanin, dy vjet jashtë Kupave të Europës

27.06.2018 21:06:16

Dy vjet pa Kupat e Europës. Ky është vendimi i pritur dhe fatkeqësisht i vështirë i Komisionit Gjyqësor të UEFA-s, i cili rëndon për Milanin.

Një goditje e jashtëzakonshme, si një rrufe në qiell, e cila e detyron Milanin të kthejë vëmendjen nga CAS-i i Lozanës, në përpjekje për të shpëtuar të ardhmen me një përmbysje të dënimit.

Mospërmbushja e parametrave të FFP dhe borxhi i madh i kryeaksionerit Yonghong Li te Fondacioni Elliott, kanë bërë që të vijë ky ndëshkim i rëndë për kuqezinjtë italianë.

“Paneli gjykues i organit të Kontrollit Financiar për Klubet (CFCB), me në krye Jose Narciso da Cunha Rodrigues, ka marrë vendim në lidhje me çështjen e Milanit pas raportimit të përgjegjësit të dhomës hetimore të CFCB-së për shkelje të normave të ‘Fair Play’-t financiar, veçanërisht për shkeljen e rregullit të balancimit të bilancit. Klubi nuk mund të marrë pjesë në kompeticionin e UEFA-s për klube, në të cilat mund të kualifikohet, për dy sezonet e radhës. Pra, përjashtim për sezonin 2018-2019, e sigurisht edhe për 2019-2020 nëse do të kualifikohet. Pas këtij vendimi mund të dorëzohet edhe rekursi në CAS-in e Lozanës”.