Vdes i riu shqiptar duke ngjitur malin Olimp në Greqi

11.12.2017 13:12:47

Një i ri shqiptar ka humbur jetën gjatë një ngjitjeje në malin e Olimpit në Greqi. Ilia Dhimitri 26 vjeç, ishte me një shokun e bashkë studentin e tij, kur ky i fundit rrëshqiti në një greminë.

Dhimitri u përpoq që ta ndihmonte dhe të dy rrëshqitën mbi dëborën e ngrirë, me rezultat njeri të bjerë 200 metra më poshtë e të gjejë vdekjen, i tha televizionit grek Antena shefi i shërbimit zjarrfikës të Katerinit që organizoi operacionin e shpëtimit.

Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje ishte vonë. Ata mundën të shpëtonin alpinistin tjetër, me moshë 25 vjeç dhe të nxirrnin trupin e pajetë të studentit shqiptar.

Ilia Dhimitri me origjinë nga Korça studionte për turizëm në Selanik dhe ishte i pasionuar pas alpinizmit dhe udhëtimeve.