Përmbyset autobusi pranë Ujit të Ftohtë, 30 të plagosur

22.09.2016 10:20:40

Një aksident rrugor ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, ku një autobus i linjës Athinë-Tiranë me 40 pasagjerë ka dalë nga rruga, duke shkaktuar plagosjen e 30 personave.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 05:00, në vendin e quajtur si Uji i Ftohtë, një segment tejet problematik, ku drejtuesi i autobusit me targa TR 5631, Ilia Silos rreth 50 vjeç, ka humbur kontrollin e mjetit. Autobusi ka devijuar nga rruga dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Autobusi ishte duke u kthyer nga Greqia dhe dyshohet se shkak i aksidentit është bërë lagështira në rrugë.

Njëri prej të aksidentuarve tha: “Policia dhe ambulanca erdhën shumë shpejt. Ne dolëm, ndihmuam njëri-tjetrin dhe na ndihmuan edhe autobusë të tjerë që po vinin mbrapa. Mendoj se lagështia e solli aksidentin, por ndoshta edhe futja shpejt në kthesë”.

Ndërsa mjeku kirurg i spitalit të Gjirokastrës, u shpreh: “U paraqitën në fillim në spital 31 persona. Aktualisht po marrin ndihmën në spital 15 persona. Të plagosurit e tjerë morën mjekimin dhe u larguan. Të plagosurit në spital janë jashtë rrezikut për jetën. Nuk kemi pasur nevojë të kërkojmë ndihmë nga spitalet e tjera”.