Veseli thotë se pagat e punëtorëve shëndetësorë do të rriten në janar

29.12.2018 16:25:17

Kryetari i Kuvendit të Kosovës,  Kadri Veseli ka dhënë sot lajmin e shumëpritur nga punëtorët shëndetësorë në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe ai i Financave Bedri Hamza u kanë konfirmuar krerëve të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës se  në seancën parlamentare në fillim të 2019 do të vuloset rritja e pagave për personelin shëndetësor.

“Ndryshimet në mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë do të vulosen gjatë muajit janar, kur do ta kemi seancën parlamentare për buxhet dhe ku në pako do të kalojmë edhe Ligjin e Pagave”, ka shkruar Veseli në Facebook.

Kreyparlamentari ka thënë se këtë lajm të mirë ia konfirmoi kreut të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë të Kosovës, në një takim të përbashkët që patëm sot me Ministrat Uran Ismaili dhe Bedri Hamza.

Ai tha se Ligji parasheh ndryshim të pagave në sektorin e shëndetësisë si asnjëherë më parë.

“Përveç kësaj, do të investojmë edhe në përmirësimin e kushteve të tyre të punës, në mënyrë që edhe personeli shëndetësor, edhe qytetarët, të kenë trajtim të dinjitetshëm. Shëndetësia është prioritet yni”, ka thënë Veseli.

Ndryshe, punëtorët shëndetësorë të QKUK-së tash e disa ditë janë në grevë, duke kërkuar rritjen e pagave. Ata kanë pezulluar grevën deri më 3 janar.

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës më 3 janar mbledhë Këshillin Drejtues të FSSHK-së ku do të diskutohet rreth vendimeve të mëtutjeshme sindikaliste.