Vetëvendosje jep detaje rreth takimit mes Kurtit dhe Hazirit

25.08.2017 14:09:10

Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar takimin mes të nominuarit për kryeministër nga kjo parti, Albin Kurti dhe nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri.

Sipas komunikatës së VV-së në këtë takim u diskutua  për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për bllokimin institucional të shkaktuar nga PAN-i.

Po ashtu thuhet se në këta takim u konsiderua nevoja e bashkëpunimit mes VV-së dhe koalicionit LAA për harmonizim të programeve.

“Sot, në mëngjes, në sallën e Grupit Parlamentar të VETËVENDOSJE!-s në Kuvendin e Kosovës, deputeti dhe i nominuari për kryeministër i Lëvizjes sonë, z.Albin Kurti, priti në takim nënkryetarin e LDK-së, z.Lutfi Haziri”.

“Ata diskutuan për situatën e përgjithshme politike në Kosovë dhe për bllokimin institucional të shkaktuar nga PAN-i. Në veçanti, ata konsideruan nevojën e bashkëpunimit midis LV dhe LDK (përkatësisht LAA) për trajtimin dhe harmonizimin e programeve politike e qeverisëse, për çfarë ngarkohen z.Dardan Sejdiu dhe z.Avdullah Hoti që me ekipet respektive të zhvillojnë dhe intensifikojnë takimet dhe bisedimet e përbashkëta në ditët në vijim”, thuhet në komunikatë.

VV e LDK kanë zhvilluar më herët edhe disa takime në përpjekje për të arritur një marrëveshje për formim të Qeverisë.