Zbulohet se çfarë diskutoi Isa Mustafa me kryeministren serbe Ana Bërnabiq

27.08.2017 18:03:11

Gjatë ditës së djeshme në Durrës në takimin joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, kryeministri në detyrë i Kosovës, Isa Mustafa u takua për herë të parë me kryeministren serbe Ana Bërnabiq.

Ky takim mes Mustafës e Bërnabiq ishte i pari që prej kur Bërnabiq është zgjedhur kryeministre e Serbisë.

Mirëpo, një ditë më pas, shefi i kabinetit të kryeministrit Mustafa, Sokol Havolli, ka treguar për “Zeri.info”, se çfarë u diskutua në atë takim.

“Sa kam marre vesh nga Kryeministri, është biseduar për temat e bashkëpunimit rajonal, për implementimin e marrëveshjeve të Triestes dhe çështjeve të mbetura të Traktatit të Komunitetit të Transportit”, ka thënë për “Zeri.info”, Havolli.

Ai po ashtu bëri të ditur se në këtë takim joformal të kryeministrave të Ballkanit Perëndimor gjithçka ka shkuar ashtu siç duhet.

“Komunikimi me të gjithë kryeministrat ka qenë i relaksuar dhe pozitiv”, ka thënë Havolli.

Ndryshe Bërnabiq, që zëvendësoi Aleksandar Vuçiqin në krye të ekzekutivit, i cili la këtë post për t’u bërë president i vendit, ka shprehur gatishmërinë për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Mirëpo, gjatë ditës së djeshme vetë Bërnabiq është shprehur skeptike se Serbia mund ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nuk besoj se njohja e Kosovës ka ndodhur por është bërë thirrje për dialog mes vendeve për një marrëdhënie më të mirë për të ardhmen. Ne duhet të kemi një marrëdhënie sa më të mirë të jetë e mundur dhe duhet të ndjekim hapat për të cilat jemi dakorduar. Serbia ka bërë shumë për të implementuar të gjitha pikat në procesin e dialogut dhe kemi nevojë që Prishtina të fillojë të punojë me pjesët më të rëndësishme të marrëveshjes për stabilitetin e komunitetit serb. Unë shpresoj që dialogu do të vazhdojë”, ka thënë Bërnabiq për mediat shqiptare.

Ky takim joformal i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, u organizua nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.