Zëri i Amerikës: Ekonomia shqiptare në vështirësi

06.08.2016 20:06:01
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar mes opozites dhe maxhorances ne lidhje me reformen ne drejtesi./r/n/r/nMinister of Economic Development, Tourism, Trade and Entrepreneurship, Arben Ahmetaj, speaks during a parliamentary session.

Ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë një nga vitet më të vështira të ecurisë së saj, ndërsa treguesit kryesorë janë në rënie dhe madje parashikohen me ulje nga vetë qeveria në rishikimin e buxhetit, thuhet në investigimin e medias prestigjioze

 

Ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë një nga vitet më të vështira të ecurisë së saj, ndërsa treguesit kryesorë janë në rënie dhe madje parashikohen me ulje nga vetë qeveria në rishikimin e buxhetit. Vëzhguesit e ekonomisë pohojnë se të ardhurat dhe shpenzimet buxhetore janë planifikuar më të ulëta se në fillim të vitit, inflacioni është vetëm një për qind, kur duhet të ishte 2.3 për qind. Prodhimi i brendshëm bruto nga fillimi i vitit në këtë rishikim parashikohet nga qeveria me rreth 160 milionë euro më pak. Ndërkaq evazioni fiskal vazhdon të jetë shumë i lartë, thotë Gjergj Erebara, redaktor i rrjetit ballkanik të raportimit investigativ BIRN në Tiranë. “Barra fiskale është mbi 40 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Të ardhurat e mbledhura nga qeveria janë rreth 25 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Diferenca prej 15 për qind është e barabartë me 1.5 miliardë euro. Ky është evazioni fiskal ose detyrimi ligjor i papaguar” – thotë zoti Erebara. Shqipëria vazhdon të ketë një evazion të lartë, që llogaritet sa 45-50 për qind e GDP-së, pohon Gjergj Buxhuku, përfaqësues i grupimit të bizneseve Alb-Konfindustria. Kjo gjendje, sipas tij, nuk rregullohet me fushata, por duhet të jetë një punë e përditshme. Zoti Buxhuku thotë se administrata tatimore nuk kontrollon mirë territorin e vendit, dhe nga ana tjetër është e paaftë dhe me një shkallë të lartë korrupsioni në radhët e saj. “Fakti që edhe këtë vit po vihet re një mosrealzim i theksuar i të ardhurave në buxhetin e shtetit tregon që së pari këtu kanë dështuar politikat ekonomike, (ose nuk ka pasur politika ekonomike që të lehtësojnë pasojat e krizës globale), së dyti, politikat fiskale në tre vitet e fundit janë tërësisht të gabuara dhe së treti administrata është përfshirë nga një korrupsion i lartë” – thotë zoti Buxhuku. Vëzhguesit pohojnë se borxhi publik mbetet i lartë në rreth 72 për qind, dhe qeveria ka vendosur ta ulë përmes shkurtimit të shpenzimeve, jo prej rritjes së të ardhurave, gjë që sjell pasoja negative në ekonomi. Reformi i sistemit fiskal nuk po jep rezultate. rritja e taksave nuk ka sjellë rritje të të ardhurave të qeverisë. të ardhurat buxhetore nuk realizohen, ose shtyhen për më vonë. “Barra e taksave është rritur me 2-3 për qind të GDP-së dhe të ardhurat e qeverisë janë rritur me 1,5 për qind, ndaj reforma nuk po jep fryte por po krijon evazion të ri nga barra e re fiskale e vendosur gjatë viteve të fundit” – thotë zoti Erebara. Mos mbledhja e taksave erdhi prej rritjes së tyre, thotë nga ana tjetër, zoti Buxhuku. Sipas tij, potenciali i ekonomisë shqiptare ka rënë, konkurrenca e vendeve fqinje është forcuar dhe firmat kanë ulur prodhimin dhe nuk kanë me se të paguajnë taksat e rritura më tej. “Ka rënë potenciali fiskal i ekonomisë shqiptare dhe ajo nuk po ritmet, që pritej. Ndërkohë, janë marrë borxhe të mëdha deri 1 miliardë e 200 milionë euro, ose 72 për qind, të cilat duhet të prodhonin zhvillim ekonomik. Të gjithë treguesit pohojnë se ky do të jetë një vit shumë i vështirë në fund” – thotë zoti Buxhuku. Vitin e kaluar u arrit një deficit rekord prej 450 milionë dollarësh në mos mbledhjen e taksave dhe këtë tremujor ka sërish një mosrealizim të theksuar, ndonëse plani është shumë më i ulët se ai i vjetshëm. Në rrethin vicioz të vështirësive, borxhi duhet ulur, por të ardhurat nuk rriten, rriten taksat, por ato nuk mblidhen dhe qeveria shkurton shpenzimet, por kjo vështirëson shlyerjen e borxhit, sepse ekonomia nuk rritet, thonë vëzhguesit e saj.