Zgjedhja e Donald Trump, Nishani: Nuk ka asnjë lloj kërcënimi për shqiptarët

01.02.2017 22:32:37

Çim Peka: Zoti president, SHBA kanë presidentin e ri, i cili është Donald Trump. Presidenti i Republikës e ka uruar, kryeministri Rama është i vetmi në Ballkan që ende nuk e ka uruar. A mendoni se për herë të parë në 25 vite demokraci, Shqipëria ka një ngërç në raport me Washingtonin zyrtar?

Nishani: Jo nuk mendoj se ka një ngërç. Unë nuk di nëse e ka uruar apo nuk e ka uruar.

Çim Peka: Është pyetur zyrtarisht dhe është shmangur. Ju e keni bërë publike, zoti Meta e ka bërë publike, zoti Basha e ka bërë publike … kryeministri jo.

Nishani: Përderisa nuk ka një deklaratë që nuk ka urim, unë e marrë të mirëqenë që është uruar, pavarësisht që është bërë apo nuk është bërë publike. Prandaj nuk marr përsipër një vlerësim të tillë. Por ky nuk është një ngërç mes Shqipërisë dhe SHBA-së, midis Tiranës dhe Washingtonit. Sepse Shqipëria ka një kryetar shteti që ka përgjegjësinë e përfaqësimit të shumicës së shqiptarëve, pavarësisht që mund të mos jetë e votuar, por që në momentin kur zgjidhet merr tagrin e përfaqësimit. Unë jam i bindur që atë mesazh që kam përcjell e kam bërë në emër të shumicës dërrmuese të shqiptarëve dhe mesazhi, përmbajtja e mesazhit është çka shqiptarët ndjejnë dhe përjetojnë dhe kanë kërkuar që shteti i tyre t’ia përcjellë aleatit tonë kryesor strategjik, SHBA.

Unë mendoj se zgjedhja e presidentit Trump, natyrisht pritshmëria në zgjedhjen e presidentit Trump në perceptimin që u krijua kishte probabilitet më të vogël, në krahasim me kandidaten tjetër. Por zgjedhja e Trump, unë mendoj se është një moment historik sepse ka sjellë një dimension të ri, të pikëpamjes midis ndërtimit të raporteve, midis establishmentit vendimmarrës dhe qytetarëve. Trump e ka demonstruar në platformën e tij, e ka shpallur edhe në disa prej akteve të para të tij që do të ketë një dimension tërësisht pranë interesit të drejtpërdrejtë të qytetarëve, padyshim amerikan, por unë mendoj se përderisa do të ketë një Amerikë të fortë,një Amerikë shumë herë më të zhvilluar mendoj se kjo do të jetë një e mirë për të gjithë botën.

Padyshim për ne shqiptarët në mënyrë të jashtëzakonshme dhe specifike, sepse për fatin e mirë tonin, pas shekujsh të tërë tashmë kemi të konfirmuar dhe të konsoliduar një aleat kaq të madh siç janë SHBA, të cilët e kanë përfshirë në kontekstin e tyre të sigurisë dhe zhvillimit, të lirisë dhe demokracisë, edhe Shqipërinë dhe shqiptarët dhe ky është një fat i madh për ne. Sa më e fortë të jetë Amerika, sa më pranë lidershipit botëror të jetë Amerika aq më e sigurt është edhe emancipimi i botës shqiptare.

Çim Peka: Ka një alibi, ose ka një analizë, për të mos thënë alibi, për përfshirjen e kryeministrit në fushatën zgjedhore në Amerikë, se zgjedhja e Donald Trump tashmë është kërcënim për shqiptarët në rajon. A ka një gjykim Presidenti i Republikës për këtë?

Nishani: Po nuk mund të jetë kurrsesi zgjedhja e Presidentit Trump, një kërcënim për Shqipërinë. Unë e thashë dhe njëherë. Ne jemi atashuar dhe Amerika na ka pranuar.

Çim Peka: Po flasim për Kosovën…

Nishani: Kur flas ne, e kam fjalën për shqiptarët. Amerika është një lider global, nuk i ndërton marrëdhëniet thjesht lokale, me vende të caktuara jashtë dimensionit të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit global. Patjetër që Trump, ka platformën dhe qasjen e tij se si Amerika do të forcohet akoma më shumë në lidershipin e saj global dhe kur themi lidershipi global, vlerat e demokracisë, lirisë dhe zhvillimit të Amerikës janë të konsoliduara prej qindra vitesh. Ata të cilët tentojnë të hedhin dyshime mbi vlerat e lirive dhe demokracisë unë mendoj janë o dashakeqës o qesharak. Në këtë kontekst unë mendoj që kurrsesi , nuk do të jetë një kërcënim për Shqipërinë. Unë e thashë edhe një herë, fakti që platforma e presidentit Trump është për të bërë një Amerikë më të fortë, akoma më prezentë në ruajtjen e dimensioneve të lirisë dhe demokracisë.