Zhdukja e 3 të rinjve në Malësi të Madhe/ Kamera që irritoi banorët e Vrithit dhe zona me shpella ku…

07.10.2020 21:27:31

Në studion e “Open” ditën e sotme janë dhënë detaje të reja nga ngjarja ende e pazgjidhur e zhdukjes së 3 personave në Malësinë e Madhe.

Personat e zhdukur janë Vilson Pal Çutaj, i datëlindjes 20 nëntor 1983, banues në fshatin Bajzë, bashkia Malësi e Madhe, Klement Nush Pepaj, i datëlindjes 15 janar 1999, dhe Danjel Rrok Pepaj, i datëlindjes 17 shtator 1995. Klement dhe Danjel jane kushërinj me njëri-tjetrin, të dy me banim në fshatin Vrith, Malësi e Madhe dhe të afërm të Vilson Çutajt.

Sipas gazetarit të Top Channel në Shkodër, zona e Vrithit është një zonë e thellë malore.

“Është një zonë e lehtë për t’u fshehur. Është zonë e njohur me shpella dhe kjo po vështirëson punën e policisë. Nesër fillojnë kërkimet për shkak të kushteve të vështira atmosferike,” tha ai.

Gazetari gjithashtu tregoi se banorët e Vrithit janë irrituar me lajmin se një kamerë është vendosur për përgjim në fshatin e tyre, dhe se i kanë të rralluara dhe daljet për mediat.

Zhdukja e 3 të rinjve në Malësi të Madhe/ Kamera që

Ngjarja 

Daniel dhe Klement Pepaj sëbashku me Vilson Çutajn, tre të rinjtë u zhdukën pasditen e datës 3 tetor dhe s’diihet asgjë për ta.Dy ditë më pas, vëllai i Vilson Çutajt u paraqit në polici duke shprehur shqetësim për zhdukjen e vëllait të tij.

Mendohet se shkak për zhdukjen e të rinjve dyshohet të jetë bërë vjedhja e një sasi kanabisi në zonë.

Policia e Shkodrës ka dyshime se sasia e kanabisit mund t’i jetë vjedhur 37 vjeçarit Vilson Çutajt.

Në sajë të të dhënave të siguruara në rrugë operative por edhe nga disa dëshmi të marra nga banorë të fshatit, policia ka indicie se Çutaj për të marrë sa më shumë informacion se kush ishte autori ka biseduar me Klement Pepajn.

Ky i fundit i ka pohuar 37 vjeçarit Çutaj se për sasinë e kanabis të vjedhur dyshonte se autor të ketë qenë kushëriri i tij, Daniel Pepaj.

Për këtë arsye, pak ditë më parë Klement Pepaj e kishte nxjerrë Danielin në pritë duke e çuar në fshatin Bajzës ku më pas ka shkuar edhe Vilson Çutaj.

Ata mendohet ta kenë dhunuar Daniel Pepajn në formë presioni për të mësuar se kush ishin autorët që kishin vjedhur kanabisin dhe më pas e kanë lënë të lirë.

Banorët i kanë thënë policisë se pasi është rrahur, dyshohet se Daniel Pepaj ka marrë armën dhe i ka vrarë dy të rinjtë e tjerë duke humbur më pas edhe gjurmët vetë.