Zhvillimet teknologjike ulin veprimet cash të bankave nga sportelet

06.08.2016 20:28:45

Zhvillimet teknologjike i kanë ulur ndjeshëm transaksionet cash të bankave me klientët nga sportelet. Banka e Shqipërisë, nga statistikat e saj tregon se, vlera e veprimeve cash nga arkat e bankave në fund të vitit 2015 ishte 4% më e ulët se në vitin 2014, ku pagesat nga arkat ishin gjithashtu 36% më të ulëta se më 2013. Duke analizuar ecurinë nga viti 2009 shihet se pagesat cash nga veprimet në sportelet e bankave kanë ardhur në rritje deri në vitin 2012, ku edhe vlera e pagesave cash arriti në 4.3 trilionë lekë. Pas këtij viti, pagesat cash kanë ardhur në ulje sistematike. Teksa shihet se janë rritur ndjeshëm veprimet “home banking” dhe nga bankomatet. Në fund të vitit 2015, janë 13 banka që ofrojnë shërbime “home banking”, në formën e produkteve. Këto produkte mundësojnë aksesimin e llogarisë bankare në distancë, nëpërmjet një linje interneti, linje telefoni apo një softëare-i që banka i vë në dispozicion klientit të saj. Nga raportimet e bankave, vihet re një rritje prej 12.39% e vëllimit të pagesave “home banking”. Gjithashtu, edhe vlera e transaksioneve ka shënuar rritje të konsiderueshme prej 71.89%, krahasuar me një vit më parë. Rritja e transaksioneve “home banking” dikton në një masë të madhe edhe zhvillimet e tregut në këtë drejtim. Numri i terminaleve ATM dhe POS ka shënuar një rritje të lehtë, prej përkatësisht 1.9% dhe 2.3%, krahasuar me vitin 2014. Pavarësisht prirjes pozitive të shtimit në numër të terminaleve, përqendrimi i tyre vijon të jetë i lartë në Qarkun e Tiranës, në masën 79.7%.