Zika arrin në SHBA, shënohen katër rastet e para

30.07.2016 08:45:17

Katër persona që vuajnë nga virusi i Zikas në Florida, më shumë gjasa përfaqësojnë rastet e para të infektuara brenda SHBA-ve, sipas autoriteteve shëndetësore në vend.

Deri më tani personat e prekur nga Zika jashtë Amerikës Latine dhe Karaibeve, ku virusi është mjaft i përhapur, janë infektuar gjatë udhëtimeve në këto rajone apo përmes marrëdhënieve seksuale.

Rastet në Florida ngrenë shqetësimet se tani edhe mushkonjat në SHBA mund të bartin virusin. Simptomat e shfaqura tek ata që preken nga Zika janë të lehta, por virusi është lidhur me defekte të rënda tek të sapolindurit. 3 nga personat e infektuar në Florida gjenden në kontenë e Miami-Dade, ndërsa tjetri në kontenë fqinje të Broward.

Agjencia Federale për Ushqimet e Ilaçet kërkoi që dhurimi i gjakut të pezullohet në të dyja kontetë, ndërsa guvernatori i Floridas deklaroi se do edhe dhurimet e bëra më herët të testoheshin për Zika.

Më shumë se 1650 raste të virusit janë zbuluar deri më tani në SHBA, por ato të Floridas janë të parat ku nuk përfshihet kontakti seksual dhe udhëtimi jashtë vendit. Për të konfirmuar se Zika bartet edhe nga mushkonjat, shkencëtarët po shqyrtojnë shtëpitë dhe personat brenda një rreze prej 150 metrash.