Zviceranja Micheline Calmy-Rey , do të vazhdojnë interesimet për Kosovën

Zviceranja Micheline Calmy-Rey , do të vazhdojnë interesimet për Kosovën

29.12.2016 10:37:09

Bisedë mes ish Shefes së Diplomacisë zvicerane Micheline Calmy-Rey dhe ish ambasadorit të Kosovës në Zvicër.

Qysh në vitin 2005 ambasadori zviceran pranë OKB-së në Nju Jork, Peter-Maureri, argumentonte idenë e pavarësisë së Kosovës. Një qëndrim shumë i guximshëm për një vend të vogël e neutral si Zvicra.

Disa komentatorë do ta shtronin pyetjen nëse ambasadori Maurer ishte esëll atë ditë. Për arsyet e ndërrimit të prioriteteve, statusi para negociatave, kulisat e bisedimeve për Kosovën, argumentet me presidentin Putin në favor të Kosovës, kontaktet me liderët e Kosovës si dhe diasporën e Kosovës në Zvicër, flet ish-shefja e diplomacisë dhe kryetarja e Konfederatës Helvetike, Micheline Calmy-Rey, në një bisedë për ish-ambasadorin e Kosovës në Zvicër, Naim Malaj.

Znj Calmy-Rey, si shefe e Departamentit Federal për Punë të Jashtme jeni angazhuar në favor të pavarësisë së Kosovës. Më kujtohet deklarata e ambasadorit tuaj Peter Maurer pranë OKB-së në Nju Jork në vitin 2005, i cili që në atë kohë kishte shtruar çështjen e pavarësisë së Kosovës, ndërkohë që vende si ShBA-ja, Franca, Britania, Gjermania etj. ishin më të “kujdesshme” rreth kësaj çështje. Për Zvicrën e “vogël” dhe neutrale Kosova paraqiste një interes të veçantë për politikën e saj të jashtme?

Calmy-Rey: Së pari ka një komunitet të rëndësishëm të Kosovës që jeton në Zvicër. Ky ishte një argument për të cilin interesohej Zvicra rreth Kosovës dhe stabilitetit të regjionit. Në atë kohë zhvilloheshin mbledhje të rregullta në Lucern mes serbëve dhe kosovarëve dhe në atë kohë mbrohej ideja që Kosova të sillej konform standardeve ndërkombëtare, si ato të drejtave të njeriut dhe qeverisjes së mirë, para se të diskutohej për çështjen e statusit. Mirëpo, këto bisedime nuk shpinin askund, nuk ishte një zgjidhje e problemit. Në një moment të caktuar pas një reflektimi brenda Departamentit tonë konkluduam se duheshin ndërruar përparësitë, duhej së pari të zgjidhej statusi, kështu që njerëzit që jetonin në Kosovë do të kishin interes t’i promovonin të drejtat e njeriut dhe qeverisjen e mirë, në ndërkohë që pa status nuk kishte përgjegjësi, nuk kishim autoritete dhe lidership përgjegjës, pra kemi ndërruar prioritetet, duke vënë statusin para standardeve.

Ishte një reflektim i bërë në akordim me diplomacitë perëndimore?

Calmy-Rey: Ishte një reflektim i bërë brenda Departamentit tonë. Ky ishte qëndrimi që ambasadori ynë Peter Maurer ka mbrojtur para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Ky fjalim ka pasur mbështetjen dhe aprovimin e disa departamenteve federale dhe është bërë në emër të Konfederatës Helvetike.

… dhe që kishte mbështetjen e Këshillit Federal (Qeverisë Federale)?

Calmy-Rey: Sigurisht se ka pasur mbështetjen e Këshillit Federal. Ky fjalim që evokonte për herë të parë idenë e pavarësisë së Kosovës kishte marrë aprovimin e departamenteve federale pa asnjë vërejtje ashtu siç e kërkon procedura. Fjalimi ka kaluar në Këshillin e Sigurimit me mbështetjen e Këshillit Federal, të cilin e përfaqësonte ambasadori Maurer. Është e vërtetë se ky fjalim, që nuk pritej nga Zvicra e vogël, ka bërë një bujë të veçantë në rrethet diplomatike.

Qëndrimi juaj ndaj Kosovës tërheq vëmendjen edhe të shteteve më të fuqishme si ShBA, aq sa ShBA-ja do t’ju ftojë në një mbledhje transatlantike?

Calmy-Rey: Po, gjatë një mbledhje transatlantike në Nju Jork, në margjinat e një mbledhjeje të Asamblesë së OKB-së në Nju Jork që mblidhte vendet e Bashkimit Evropian dhe vendet e NATO-s, si e ftuar e posaçme ishte edhe Zvicra. Amerikanët na ftonin kur kishte nevojë në Nju Jork, ndërsa evropianët nuk na ftonin në Bruksel. Pas fjalimit të ambasadorit tonë në OKB rreth pavarësisë së Kosovës, çështja ishte shtruar tashmë në këtë mbledhje. Në rend të ditës të këtij takimi figuronte pavarësia e Kosovës. Duhet thënë se këto mbledhje nuk janë demokratike për faktin se të parët që flasin janë të mëdhenjtë e pastaj të vegjlit. Por, kur u shtrua tema e Kosovës, unë kërkova e para fjalën duke thyer rregullat e protokollit. Në fjalën time argumentova pavarësinë e Kosovës. Ishte një diskutim i gjallë dhe me reagime interesante. Më kujtohet se sekretarja e shtetit Condoleezza Rice vetëm miratonte me kokë argumentet e mia. Ishte diçka e befasishme që dikush që ndodhej në fund të ftesës të ngrehte dorën i pari. Këtu kam shfaqur argumentin për pavarësinë e Kosovës dhe nga kjo kohë jam shfaqur në publik si personi që mbronte pavarësinë e Kosovës.

Një mbresë, një kujtim të veçantë nga takimet tuaja me liderët botërorë rreth çështjes së Kosovës?

Calmy-Rey: Kam një kujtim me Vladimir Putinin, të cilin e kam takuar si kryetare e Konfederatës Helvetike, nëse s’gaboj më 2007. Presidenti Putin paraqiste argumente të kundërta rreth pavarësisë së Kosovës, duke u frikësuar nga një rast që do të shërbente si precedent. Ia shpjegova pozicionin e Zvicrës, se mes dy parimeve të së Drejtës Publike Ndërkombëtare, atij të vetëvendosjes së popujve dhe integritetit territorial të një vendi, Zvicra kishte zgjedhur t’i jepte prioritet vetëvendosjes së popullit kosovar, për faktin se kishte një qeveri në një territor, popullatë dhe që sidomos kishte pasur një popullatë të rrezikuar, e cila kishte pësuar dhunime të të drejtave njerëzore. Për këtë arsye ne i kishim dhënë përparësi parimit të vetëvendosjes si një mënyrë për ta mbrojtur Kosovën dhe popullin e saj. Këto argumente janë marrë edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës por që, për kërshëri, më vonë, i njëjti tip argumentesh juridike, është përdorur edhe nga Rusia pas bashkimit të Krimesë.

Ku ndodhej Micheline Calmy-Rey më 17 shkurt 2008?

Calmy-Rey: Kam qenë e ftuar në një ceremoni fetare të organizuar nga komuniteti kosovar që mbahej në kishën e qyteti Wil në Zvicrën gjermane. Kur arrita në stacionin e trenit, prifti që më priste qante nga gëzimi. “Është e pabesueshme, ka ndodhur një mrekulli, sot në mëngjes Kosova ka shpallur pavarësinë e Kosovës, ndërsa ju ndodheni në mesin tonë”, më thoshte ai.

Kam pasur shumë problem për t’i bindur kolegët e Këshillit Federal se prania ime në Wil më 17 shkurt 2008 ishte një rastësi, një takim që ishte caktuar tre muaj më parë dhe se nuk isha unë ajo që e kishte caktuar datën e pavarësisë së Kosovës.

Rreth njohjes së pavarësisë së Kosovës, Zvicra e ka njohur më 27 shkurt 2008. Një “vonesë” 10-ditëshe për një vend që i pari e kishte mbështetur këtë pavarësi?

Calmy-Rey: Nuk ishte shumë vonë, së pari duhej rregulluar çështja e hapjes së ambasadës. Jemi një nga vendet e para që kemi hapur një ambasadë në Kosovë. Pastaj jemi angazhuar në bindjen e anëtarëve të komisionit parlamentar për politikë të jashtme, sepse njohja e një shteti nuk është vetëm çështje e Qeverisë Federale, duhej aprovuar edhe nga komisioni parlamentar. Nuk ishte e lehtë të bindeshin anëtarët e këtij komisioni brenda të cilit kishte anëtarë që e kundërshtonin pavarësinë e Kosovës duke u thirrur në argumente të së Drejtës Ndërkombëtare Publike. Argumente që ishin shprehur nga ekspertë kushtetues që thoshin se integriteti territorial ishte kundër së Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe për Zvicrën si një shtet i së drejtës kjo paraqiste problem. Pastaj për arsye neutraliteti kishte frikë nga prishja e marrëdhënieve me Serbinë dhe Rusinë.

Serbia nuk i kishte shkëputur marrëdhëniet diplomatike dhe për një kohë ia kishte ndaluar ministrit të saj të më fliste. Ishin disa shqetësime që mund të kuptoheshin, por me kohë ato rezultuan të pabanueshme, sepse Zvicra ka punuar shumë me Serbinë në kuadër të OSBE-së, kemi bërë një presidencë të përbashkët me Serbinë gjatë viteve 2014-2015, pastaj me Rusinë kemi punuar rreth bisedimeve mes Turqisë dhe Armenisë, për çfarë interesohej edhe Rusia. Zvicra ishte aktive në disa dosje diplomatike si ajo e marrëveshjes nukleare me Iranin. Përfaqësonim interesat e Rusisë në Gjeorgji që nga ndërprerja e marrëdhënieve mes këtyre vendeve nga viti 2008. Me Rusinë nuk kemi pasur probleme të veçanta për faktin se kemi qenë aktivë në shumë dosje diplomatike, ndërsa me Serbinë marrëdhëniet kanë rifilluar ngadalë.

Pas zgjedhjeve presidenciale amerikane, në Serbi janë dëgjuar zëra se Kosova tani duhet t’i kthehet Serbisë, ndërsa Vladimir Putini shumë kohë më parë u thoshte serbëve se “Perëndimi jua ka vjedhur Kosovën, ndërsa ne do t’ju ndihmojmë”. Në të njëjtën kohë Rusia po i shet Serbisë armë të sofistikuara me çmime të volitshme. I frikësoheni një kthimi të Rusisë në Ballkan dhe një skenari në Kosovë, të ngjashëm me atë të Krimesë?

Calmy-Rey: Mendoj se garancia më e mirë për Kosovën janë bisedimet që aktualisht po bëhen në mes të Bashkimit Evropian dhe Serbisë për hyrjen e saj në BE, si dhe investim i BE-së në Kosovë për t’i përmirësuar standardet e të Drejtave të Njeriut dhe të qeverisjes së mirë për të gjetur zgjidhje për problemin e të drejtave e minoritetit serb në Kosovë. Më duket se BE-ja është shumë e angazhuar në Kosovë. Këtu shoh garancitë më të mira për Kosovën. Do të thotë, në bisedimet në mes të Serbisë dhe BE-së, edhe pse disa vende të saj nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës.

Çfarë mendoni rreth administratës së ardhshme amerikane nëse ajo do të vazhdojë ta ketë në agjendën e politikës së saj të jashtme Ballkanin apo do të ketë një shpërqendrim të vëmendjes nga Kosova dhe Ballkani?

Calmy-Rey: Është vështirë të thuhet se çfarë do të ndodhë. Ajo që i karakterizon zgjedhjet amerikane është e panjohura. Por ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se BE-ja do të duhet të investojë më shumë në politikën e mbrojtjes sepse Donald Trumpi gjatë fushatës ka shprehur skepticizmin e ShBA-së ndaj NATO-s duke folur edhe për tërheqje nga ky organizatë. Është një konstatim dhe një reflektim që po bëjnë evropianët për të forcuar një politikë të sigurisë dhe të mbrojtjes. Për momentin është vështirë të thuhet më shumë.

Kosova vazhdon të mbetet në fokusin e politikës së jashtme zvicerane?

Calmy-Rey: Qëndrimi i Zvicrës ka qenë që pavarësia do të krijojë një qeverisje më të mirë, kushte për përgjegjësi rreth standardeve ndërkombëtare, të të drejtave të njeriut. Zvicra ka inkurajuar dhe mbështetur financiarisht autoritetet kosovare, ushtarë zviceranë ndodhen në Kosovë në kuadër të misionit Swisscoy. Ne kemi investuar në EULEX, ne jemi shumë të pranishëm në Kosovë dhe vazhdojmë ta tregojmë interesin tonë për vendin tuaj. Pak kohë më parë ministri ynë, z. Burkhalter, ka pritur ministrin tuaj duke rikonfirmuar interesin tonë për Kosovën.

Cilat kanë qenë kontaktet tuaja me autoritet e Kosovës?

Calmy-Rey: Unë kam pasur kontakte të mira dhe të shpeshta. Kam takuar presidentin Rugova kur ai ishte i sëmurë. Më kishte treguar dhomën ku mbante koleksione gurësh të çmuar mineralesh nga regjione të ndryshme të Kosovës, duke më bërë një dhuratë. Kosova është një vend për të cilin kam ruajtur një dashamirësi të veçantë. Shpresoj se do ta vizitoj së shpejti.

Si e shihni të ardhmen e Kosovës dhe të Ballkanit?

Calmy-Rey: Unë jam gjithmonë optimiste sepse jam e udhëhequr nga dëshira e mirë dhe optimizmi. Provoj ta shoh gotën gjysmë të mbushur e jo gjysmë të zbrazët. Jam optimiste, sidomos rreth rolit që luan Bashkimi Evropian në mes të Serbisë dhe Kosovës.