Armët serbe të vdekjes, po bëjnë kërdi në Evropë (Foto)

24.12.2016 13:04:33

Pos 12 personave që vrau Anis Amri në tregun e Krishtlindjeve në Berlin, ai vrau edhe shoferin e kamionit që është përdorur për sulm, ndërsa ka ekzekutuar një polic në Itali përpara se të vritej.

Për vrasjen e polakut në kamion, në Gjermani, si dhe për vrasjen e një polici i cili i kishte kërkuar dokumentet, Amri ka përdorur armën që në tregun e zi mund të blihet për vetëm 150 euro.

Revolja e kalibrit 22 është hasur te trupi i tij kur u vra në Milano. Shtrohet pyetja se si arriti te arma kur ishte nën mbikëqyrjen e Policisë dhe kur ishte arrestuar së paku tri herë vetëm gjatë këtij viti.

Është një shkresë që thotë se 24-vjeçari ishte pjesë e hetimeve të një rrjeti ekstremist dhe se lideri të grupit i ka thënë se është i gatshëm të jetë sulmues vetëvrasës. Kjo ndodhi dy muaj më parë.

Terroristët lehtë po arrijnë te armët të cilat janë përdorur më pas për sulme terroriste. Kësaj i kontribuon tregu i armëve të paligjshme që vijnë nga Ballkani në zemër të Evropës.

Ekspertët zviceranë kanë botuar kohët e fundit hulumtimet që tregojnë se në viset e ish-Jugosllavisë ka shumë armë të mbetura nga lufta e viteve 1990. Thuhet se 1.5 milionë njësi janë veç në Serbi, transmeton Telegrafi.

Çmimi i armës së kalibrit të vogël në tregun e zi është 150 euro, e armët pak më të shtrenjta si AK-47 mund të gjenden me një çmim prej 700 eurove.

Distributori i armëve të paligjshme, i njohur si “Gjermani”, thotë se ato u shiten terroristëve.

“Në rrugë ka shumë makina dhe kamionë me armë. Kontrabandistët i fshehin në rezervarët e karburantit. Silenciatorët janë pak më të shtrenjtë, e edhe mitralozat dhe pushkët automatike që fshihen lehtë. Revolet janë mjaft të lira. Çmimi i tyre është rreth 150 euro “, ka thënë “Gjermani”.

Ivan Zverzhanovski, nga departamenti i OKB-së për luftën kundër shitjes së armëve të paligjshme në Beograd, ka thënë se është “e pamundur të dihet se ku është arma, kush i mban dhe në çfarë mënyre janë përdorur.”

“Nuk keni nevojë për qindra e mijëra lloje të armëve, kur duhen veç disa për shkelje të sigurisë”, tha ai.

“Tregu i armëve aktualisht vepron në një sistem të thjeshtë të kërkesës dhe ofertës. Që nga viti 2011, kemi shënuar rritje të konsiderueshme të posedimit të paligjshëm të armëve në Evropën Juglindore dhe pjesë të tjera të Bashkimit Evropian”.