Arrestohet ‘Taysoni’ shqiptar, bosi i trafikut të heroinës në Itali

11.12.2016 10:18:43

Një 42-vjeçar shqiptar është arrestuar së fundmi nga policia italiane në Vicenza. Ai është ndaluar fill pasi i ka dhënë një dozë heroinë një konsumatori.

Siç raportojnë mediat lokale, në pranga është vënë Gazmir Moku, 42-vjeç, i njohur edhe si gazi apo “Tyson” (legjenda e boksit Mike Tyson) për shkak të fizikut të fuqishëm.

Ai është përfshirë edhe vite më parë në një hetim në lidhje me trafikun e drogës, si dhe në hetime të tjera, por ka rezultuar më pas i pafajshëm.

Shqiptari, i shoqëruar në burg me urdhër të prokurorisë, kontrollohej prej kohësh nga policia e vendit fqinjë, pasi konsiderohej si një “qendër e tregut të heroinës”.

Por, aktiviteti i tij përfundoi mbrëmjen e së mërkurës. Moku punonte si punëtor i thjeshtë në një fabrikë lëkurësh në zonë, kur u takua me një klient.

Pas shitjes së sasisë së heroinës, ndërhynë efektivët që bllokuan 42-vjeçarin. Me vete, ai kishte edhe 18 doza të tjera heroine. Menjëherë më pas, u krye një kontroll edhe në vendin e punës së shqiptarit. Në dollapin e tij personal u gjetën rreth 20 mijë euro, të dyshuara se vinin nga shitja e drogës, që u sekuestruan.