Avdullah Hoti: Kryeministrin nuk e japim, me VV-në kemi dallime substanciale

Avdullah Hoti: Kryeministrin nuk e japim, me VV-në kemi dallime substanciale

10.08.2019 09:52:36

Lidhja Demokratike e Kosovës, ka ripërsëritur qëndrimin se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që formohet nga kalkulime të ndryshme politike dhe pa zgjedhje.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në një intervistë  thotë se spektri i gjerë politik është pajtuar që të shkohet në zgjedhje, ndërsa thotë se nuk ekziston asnjë presion ndërkombëtar për formimin e ndonjë qeverie të përkohshme.

“Nuk ka kërkesa të tilla dhe qëndrimi i jonë është i qartë. Prandaj edhe nuk ka kërkesa të tilla, sepse të gjithë e kanë parë edhe faktorët e brendshëm edhe partnerët ndërkombëtarë, besoj që të gjithë janë të bindur nuk mund të shkohet përpara, nuk mund të shkojnë proceset përpara nuk mund të udhëhiqet vendi nga një Qeveri e cila nuk ka legjitimitet. Kryetari Mustafa tani është duke taku ambasadorët e vendeve mike që janë të vendosura në Prishtinë për të tregu pozicionin për të rikonfirmuar pozicionin e Lidhjes Demokratike, edhe për zgjedhje të lira, por edhe për proceset e rëndësishme të proceseve nëpër të cilat jemi duke kaluar si vend”, thotë ai.

Ish-kandidati për kryeministër në zgjedhjet e kaluara, thotë se për postin e të parit të qeverisë, ekziston një qëndrim i prerë brenda LDK-së.

Thotë se parapëlqejnë që të shkojnë të vetëm në zgjedhje.

“Posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe e para. E dyta ne si Lidhje Demokratike i kemi formësuar qëndrimet ka një kohë nëpër organet e LDK-së, edhe kryetari Mustafa e ka ritheksuar edhe pas rizgjedhjes së tij në krye të LDK-së, që ne parapëlqejmë të shkojmë si parti vet në këto zgjedhje që të matemi para qytetarëve dhe në përputhje me vullnetin e qytetarëve mandej të sillemi pas zgjedhjeve. Termi vija të kuqe kam përshtypjen që po përdoret në kontekstet të ndryshme, ne jemi në një garë politike garojmë karshi partive të tjera për të fituar besimin e qytetarëve për të udhëhequr me vendin, ne kemi pasur përvoja të ndryshme të bashkëpunimit me partitë të ndryshme që janë politikë sot”, thotë ai.

Hoti ka folur edhe për mundësinë e një koalicioni parazgjedhor me Lëvizjen Vetëvendosje.

Thotë se ekziston vullneti i dyanshëm për një bashkëpunim të mundshëm, por shton se kanë dallime substanciale në temat kryesore.