Avdullah Hoti: LDK ka dhënë ofertën për bashkëqeverisje, gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje

13.01.2020 11:20:49

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë sot se LDK në takimin e fundit me Lëvizjen Vetëvendosje ka dhënë ofertën e tyre për bashkëqeverisje dhe tani sipas tij gjithçka është në dorën e LVV-së.

Hoti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se vetëm një marrëveshje që reflekton vullnet e qytetarëve është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë.

Lexoni të plotë postimin e Hotit:

“Në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për bashkëqeverisje duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.

Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë, që është tepër e nevojshme për të kryer reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik e social dhe integrim evropian.

Fatkeqësisht, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje e tillë.

Pavarësisht mos arritjes së marrëveshjes, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor 2019, e kemi bërë të qartë se LDK angazhohet për themelimin e institucioneve të reja sa më shpejtë.

Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja.

Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”.