Çka fshihet mbrapa pazareve për demarkacionin Kosovë – Serbi?

24.06.2018 18:16:43

Nga Rexhep Kastrati

Para disa kohësh, Hashim Thaçi kishte paralajmëruar se në takimin e sotëm me Aleksandër Vuçiqin do të diksuothet edhe për demarkacionin ndëmjet Kosovës dhe Serbisë, e që u pohua edhe gjatë ditës së djeshme.

Nëdrkohë, informacionet nga Brukseli janë  se në këtë takim do të diskutohet për herë të parë për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet këtyre dy vendeve.

Është sinjifikativ fakti se edhe paralajmërimi që në këtë takim të diksutohet për çështjen e demarkacionit, edhe informacionet se sot do të diskutohet për herë të parë për marrëveshjen përfundimtare, janë shumë të çuditshëm dhe në kundërshtim me rrjedhën e negociatave në Bruksel.

Është kështu për faktin se të diskutosh për demarkacionin me një shtet që nuk të njeh si i pavarur, pra të diskutosh për kufij ndërshtetërorë, është jashtë logjikës diplomatike, sepse diskutimi për këtë çështje kërkon dy palë, ashtu siç ishte rasti edhe ma Malin e Zi.

Në anën tjetër të thuash se sot për herë të parë do të diskutohet për marrëveshjen përfundimtare, ndërkohë që de facto një debat i tillë është duke u zhvilluar që sa kohë, do të thotë se po provohet të mbulohen dhe të legjitimohen takimet e hapura dhe sekrete ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Ndërkohë, duket se sot po shkrihen dy proceset negociatore: i Brukselit dhe ai që është zhvilluar ndërmjet Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Atëherë çka po ndodh realisht në Bruksel?

Një përgjigje shterruese është e vështirë derisa nuk ka asnjë informacion të saktë dhe të plotë, sidomos në kontekst të një qasjeje jotransparente të këtyre takimeve.

Megjithatë, fakti se është thënë se në këtë takim do të diskutohet për çështjen e demerkacionit Kosovë – Serbi, dhe për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet tyre, është mjaftueshëm i qartë për të kuptuar se sot edhe de jure po merr formë dhe po konkretizohen gjithë pazaret e gjertanishme në dëm të Kosovës e që do të prekine dhe integritetin territorial, edhe strukturimin e brendshëm territorial dhe institucional të Kosovës.

Kjo do të thotë se në takimin e sotëm do të mund të konkretizohen pazaret e gjertanishme edhe në kuptimin e shkëputjes së një pjese të territorit të Kosovës në emër të demarkimit, por edhe mund të sintetizohen të gjitha marrëveshjet e gjertanishme, kompetencat dhe autoriteti i plotë i serbëve në kuadër të Asociacionit.

Më konkretisht: marrëveshjet e tilla si ajo për financa, për sigurinë, për telekomin, për elektroekonominë, për gjyqësorin etj., do të mund të sintetizoheshin në kuadër të dokumentit themeltar të Asociacionit. Përveç këtyre, edhe kompetenca të tjera do të mund të barten në kuadër të Asociacionit, edhe në bazë të pikës katër të marrëveshjes së 19 prillit 2013, e përshkruar edhe në marrëveshjen e 25 gushtit 2015.

Me shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës për llogari të Serbisë, kjo e fundit do të mund të përvetësonte liqenin e Gazivodës, pasuritë kufitare nëntokësore, si dhe do të kroijonte një poziciponim më të mirë strategjik.

Me kompetencat që do të merrte jo vetëm në fushat e përmendura më lartë, por edhe me kompetenca të tjera që do të barteshin nga Qeveria vendore edhe me ndryshime kushtetuese, Asociacioni do të ishte një shtet brenda shtetit, të cilin nuk do të mund ta anulonte asnjë institucion shtetëror i Kosovës, pasi që edhe me marrëveshjen e 19 prillit 2013, e që është përshkruar edhe në marrëveshjen e 25 gushtit 2015, të vetmit që mund ta shpërbënin janë delegatët e Kuvendit të Asocacionit.

Me demarkacionin, Serbia do të luante qoftë në parimet, qoftë në diskutimet, qoftë edhe në zgjidhjet konkrete, gjithnjë nga pozicioni i një shteti që nuk e njeh Kosovën dhe kufijtë e saj.

Prandaj, mbrapa diskutimit eventual të çështjes së demarkacionit, si dhe të marrëveshjes përfundimtare, fshihen të gjitha pazaret e dëmshme që janë bërë në dëm  të Kosovës.

Së këndejmi, marrëveshja përfundimtare mund të jetë një Pako e Ahtisarit 2, pra një dokument gjithëpërfshirës për krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, sepse nëse Pakoja e Ahtisarit ishte një dokument gjithëprëfshirës për statuizimin e serbëve në Kosovë në nivel të komunave dhe të kishave në emër të pavarësisë së Kosovës, marrëveshja përfundimtare do të ishte një dokument gjithëpërfshirës për autonomizimin integral politiko-territorial të tyre në emër të njohjes së Kosovës nga Serbia.

Pra, shqiptarët u desh të lëshojnë gjithçka për hir të pavarësisë, kurse tash do të lëshojnë edhe më shumë për hir të njohjes së Kosovës nga Serbia.