Ish ministri i Jashtëm grek: Rama aleancë me Erdogan kundër Greqisë, njësoj si u dikur me Musolinin

10.01.2017 16:17:41

Ish ministri i Jashtëm i greqisë Theodhoros Pangallos, në një shkrim të botuar në gazetën greke “To Vima” ku ka analizuar marrëdhëniet greko-shqiptare në një kontekst historik deri në ditët e sotme, ka sulmuar kryeministrin Edi Rama për deklaratat e fundit të tij ndaj vendit fqinj. Pangalos e quan retorikën e Ramës për ligjin e luftës që Greqia ende mban ndaj Shqipërisë si të pakuptimtë dhe me karakter thjesht propagandistik.

Por ish-ministri I jashtëm grek shkon edhe më tej në shkrimin e tij duke e akuzuar Ramën se propozimi I tij për një “paketë çështjesh” ende të pazgjidhura që dy vendet duhet të diskutojnë dy vendet është një frymëzuar nga Turqia.

Pangalos hedh dyshime se mes Ramës dhe Erdogan është duke u kristalizuar një aleancë kundër Greqisë ashtu Shqipëria bëri me Italinë e Musolinit në prag të luftës së dytë botërore.

“Ajo që kërkon z. Rama është diçka krejtësisht e pakuptimtë, sepse vendos karrocën para kuajve.

Kërkon që të ratifikohet aposteriori në Parlament vendimi i Këshillit të Ministrave i vitit 1987, në një kohë që ekzistenca e Traktatit të Miqësisë presupozon se marrëdhëniet midis dy vendeve janë rivendosur dhe gjendja e luftës i takon së kaluarës.

I gjithë ky diskutim ka karakter propagandistik. Zoti Rama nuk na e thotë se çfarë dëshiron konkretisht, që ngre këtë çështje inekzistente dhe e përfshin në një paketë çështjesh, prej të cilave, disa ekzistojnë realisht dhe meritojnë një trajtim serioz, ndërsa disa të tjera janë inekzistente, rrjedhimisht krijohen artificialisht.

Por edhe vetë ideja e paketës si e tillë, është e frymëzimit turk dhe ka të bëjë me faktin se Turqia dëshiron “negociata” që nuk do të kenë kuadër të qartë ligjor, por do të mbështeten te raporti i forcave.

Por a e ka siguruar me të vërtetë Shqipëria e zotit Rama një raport të tillë? Apo ndoshta mbështetet te premtime marrëdhëniesh të paligjshme që mund të rezultojnë të kota dhe fatale? Hera e fundit që Shqipëria lidhi aleancë kundër Greqisë, ishte me Italinë e Musolinit” shkruan politikani i njohur grek.