Kosovarët vazhdojnë ta paraqesin vendin e tyre si më të korruptuarin që nuk guxon ta kundërshtojë SHBA-në dhe BE-në

04.08.2016 21:25:35

Kosova si shtet i ri në botë njihet si një vend i korruptuar. Kështu është raportuar në shumë media ndërkombëtare.  Njëjtë është duke vazhduar edhe ditët e sotme, ku vetë raportet nga ana e kosovarëve e shfaqin Kosovën si një vend me liderë të korruptuar dhe vend të korrupsionit.

Për situatën politike jo stabile në Kosovë, është duke u raportuar edhe në mediat e huaja. Çështja e përcaktimit të vijës kufitare të Kosovës dhe Malit të Zi është shkruar edhe në portalin “euobserver.com”.

Në këtë shkrim, Kosova shfaqet në sytë e botës si një vend që udhëhiqet nga të korruptuarit, të cilët nuk guxojnë ta kundërshtojnë SHBA-në dhe BE-në.

“Tri vite më parë, Kosovës iu caktuan nga Bashkimi Evropian 90 pika që duhej plotësuar për të fituar liberalizimin e vizave, e një nga to ishte edhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga Kosova që ta ratifikojnë në Kuvend këtë marrëveshje. I njëjti kusht për viza nuk i ishte caktuar as Kroacisë, Serbisë a Malit të Zi, të cilat po ashtu kanë probleme me përcaktimin e vijës kufitare mes vete. Por, liderët kosovarë janë aq të korruptuar sa të mos e refuzojnë kërkesën e SHBA-së dhe BE-së, edhe kur Kosova i humb 8 mijë hektarë tokë”, thuhet në këtë shkrim.

Aty flitet edhe për pasojat që mund të ketë nga kalimi i marrëveshjes për demarkacion, ku thuhet se gjendja politike mund të eksplodojë dhe të krijojë konflikt mes opozitës dhe qeverisë. Deri sa, thuhet se këto edhe mund të çojnë drejt incidenteve me Malin e Zi.

“Gjendja aktuale mund të eksplodojë në çdo moment për çdo arsye. Nëse Perëndimorët janë këmbëngulës që ratifikimi të kalojë me çdo kusht, kjo mund të çojë drejt konfliktit mes opozitës kosovare dhe qeveritarëve. Kjo edhe mund të çojë në incidente me Malin e Zi”, shkruhet tutje.

Në shkrim flitet edhe për protestën e sotme të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e të cilës iu bashkangjitën edhe disa qytetarë të cilët e kundërshtuan ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas autorit të shkrimit, insistimi i diplomatëve të BE-së dhe SHBA-së që kjo marrëveshje të kalojë nuk do të çojë askund, veçse do ta keqësojë gjendjen.