Kuvendi i Kosovës urgjentisht të kërkojë raportim nga Hashim Thaçi për negociatat me Vuçiqin

23.03.2018 12:24:46

Nga Rexhep Kastrati

Kur bëhet fjalë për modelin shtetëror të Kosovës, thuhet me plotë gojën se është republikë kuvendare, kurse në praktikë, Kosova është bërë një El Dorado politike, korruptive dhe kriminale e strukurave të pacënueshme të linjës së Tiranës/Kretës.

Është e vërtetë se Kuvendi me kushtetutë është institucioni më i lartë i Kosovës, dhe zgjedh Presidentin, Qeverinë dhe drejtues e borde të agjensive të ndryshme, por, po ashtu, është shumë e vërtetë se thuajse kurrë Kosova nuk ka funksionuar plotësisht si republikë kuvendore.

Kur them këtë, nuk kam parasysh thjesht fushën legjislative, edhe në të cilën fushë thuajse ka dështuar në fushat kryesore të funksionimit të shtetit dhe të miratimit të ligjeve shumë të rëndësishme për vendin, por kam parasysh kontrollin mbi institucionet tjera, siç është Presidenti, apo Qeveria.

Në këtë kuptim, Kuvendi i Kosovës ka dështuar në kontrollin e punës së Presidentit, i cili në vijimësi po kryen veprime jotransparente, me dyshime shumë të forta, edhe të rrezikshme për Kosovën, dhe kurrë nuk është kërkuar nga ai që t’i raportojë kuvendarëve se për çka është duke punuar ai.

Është shumë shqetësues fakti se Hashim Thaçi në cilësinë e presidentit ka duplifikuar negocitatat në Bruksel, duke zhvilluar takime me Vuçiqin, madje edhe takime sekrete, në të cilat, po thuhet se është diskutuar ndarja e Kosovës, në formën e shkëmbimit të territoreve.

Kuvendi i Kosovës, do të duhej që të kërkonte nga Hashim Thaçi që të raportonte për këto informacione që fillimisht kanë dalë në mediet e huaja, e pastaj edhe në ato të Kosovës. Negocimi i integritetit territorial të Kosovës, përkatësisht ndarjen apo shkëmbimin e territoreve bie ndesh me betimin që ka dhënë ai si president, dhe në kundërshtim me paragrafin 3 të nenit 1 të kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Thuajse situatë e njëtjë është edhe me kontrollin dhe transparencën e negociatave që i ka realizuar apo që po i realizon ekipi qeveritar negociator, pasi që shpesh Kuvendi është gjetur para aktit të kryer, siç ndodhi edhe me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Tri vjet Komisioni i kryesuar nga Murat Meha ka negociuar me Komisionin e Malit të Zi, madje po aq, edhe hashim Thaçi si kryeministër kishte negociuar me homologun e shtetit fqinj, dhe përsëri ndodhi që Kuvendi të gjendej para aktit të kryer.

Edhe për çështjen e shndërrimit të FSK-së në FA, po ashtu, Kuvendi i Kosovës ishte jashtë funksionit të tij, pasi që Hashim Thaçi, në mënyrë sekrete kishte negociuar me Vuçiqin për këtë çështje, pa dijeninë e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. U desh ndërhyrja e NATO-s, e SHBA-ve dhe e aleatëve të tjerë që kjo çështje të mos merrte rrjedhë të rrezikshme dhe të dëmshme për vendin.

Është pikërisht kjo çështje, pra çështja e transformimit të FSK-së në FA, që po negociohet ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit, dhe ka shumë gjasa që kjo çështje të ndërlidhet me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përkatësisht që transfomimi i FSK-së në FA të kushtëzohet me kompetenca shtesë për Asociacionin, përkatësisht me krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, në kuadër të të cilës do të ishte edhe një ushtri serbe.