Loja e Vuçiqit pa mbretëreshë dhe pa topa me klasën politike të Kosovës

28.02.2018 12:50:37

Nga Fadil Kajtazi

Presidenti serb Vuçiq, dje ka deklaruar se me Kosovën “luan shah pa mbretëreshë dhe pa topa. Fatkeqësisht kjo është e vërtetë, pasi lojtarët, tanë nuk janë të nivelit për t’u përballur me të. Në kohët më të vështira për Kosovën, kur Serbia ishte fuqi ballkanike, gjete viteve të nëntëdhjeta, kur ne nuk kishim shtet te pranuar ndërkombëtarësh, e kishim kryetare Ibrahim Rugovën, i cili hapi të gjitha dyert e salloneve botërore që administrojnë me boten. Dhe sa herë që hynte në këto sallone i linte pa frymë nikoqiret, nga se, në biseda me ta ky fliste për Shilerin, Orvillin e Geten; Davinçin, Mikelangjelon e Pikason; Mocardin, Shtrausin e Bahun, Fliste për artin, për letërsinë, historinë, astronominë, arkeologjinë. Nikoqirët mbeteshin pa fryme kur dëgjonin ketë njeri që fliste me kaq pasion dhe dije të stërholluar për vlerat e civilizimit botërorë. Në fund, me elokuencë, nxirrte nga xhepi një kristal të vogël Kosove dhe ju thoshte “ndihmojeni Kosovën”. Dhe duke mos pasur as një instrument të shtetësisë, Rugova ja arriti të luaj shah dhe ta mundë Millosheviqin pa topa, pa oficer dhe pa mbretëreshë. Çfarë dinë të flasin klasa e tanishme politike e Kosovës në korridoret e vendeve që vendosin se si të administrohet bota e këtij shekulli. Çfarë do të flas presidenti i ynë dhe kryeministri para homologëve evropiane, kur ata paraprakisht janë të informuar për nivelin e tyre, për deficitet e tyre në të gjitha fushat që e bëjnë strukturën e një politikani. Çfarë kualiteti intelektual dhe të administrimit shtetërorë kanë performuar kjo klasë politike për t’i bindur perëndimorët se Kosova e ka kufirin në Qakorr? Dhe është e vërtetë se Vuçiq luan “shah pa mbretëreshë dhe topa” me këtë nivel.