Lulzim Basha: Nuk do lejojmë kurrë një regjim monist në Shqipëri

15.05.2017 21:49:35

Kreu i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha, pas takimit me Zëvendësndihmës Sekretarin amerikan, Yee, ka reaguar me një status në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook.

Kreu i opozitës shkruan se kryeministri Rama, kërkon të zhvillojë zgjedhje pa opozitën, duke projektuar kështu një pushtet monist, shkruan gazeta Shekulli.

Statusi i plotë i Bashës:

Sot në ditën e dytë të Republikës së Re që shpallëm njëzëri më 13 maj, Çadra e Lirisë ishte plot me të rinj e të reja, profesionistë, intelektualë, artistë. Si në ditën e parë të qëndresës sonë, ata kërkojnë që pushteti t’i bindet vullnetit të popullit. Interesi i tyre, axhenda e tyre është axhenda e lirisë, demokracisë dhe vlerave europiane.

Ndërsa për Edi Ramën pushteti ka vetëm një qëllim, vetëm një axhendë, atë të pasurimit dhe të kontrollit të plotë të vendit nga ai dhe banda e korruptuar kriminale në qeverisje. Për Edi Ramën njerëzit janë thjesht numra, gurë shahu në lojën e tij për pushtet. Prandaj, ai po projekton një pushtet monist, që të sundojë i vetëm, i pashqetësuar nga populli dhe nga opozita.

Bashkimi ynë është e vetmja pengesë ndaj këtij plani ogurzi. Ne nuk do lejojmë kurrë një regjim monist në Shqipëri. Ne nuk do lejojmë kurrë zgjedhje të vendosura nga droga dhe krimi. Ose zgjedhje të lira dhe të ndershme, ose zgjedhje të tjera në Shqipëri nuk do të ketë. #NgrihemiBashke #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe