Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Sourani: Ka axhendë pozitive bashkëpunimi

27.03.2018 11:40:45

Në një kohë kur niveli i bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Greqisë duket se është rritur, pas bisedimeve dypalëshe në Kretë dhe Korçë, por edhe pas dhënies së autorizimit nga Presidenti Meta për nisjen e negociatave për kufirin detar, pozitiviteti në marrëdhëniet bilaterale vlerësohet edhe nga Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Eleni Sourani.

“Kombet tona janë mike dhe ka një axhendë pozitive bashkëpunimi midis dy vendeve”, tha Sourani në konferencën me temë “Rishqyrtimi i marrëdhënieve Shqipëri-Greqi”, të organizuar Instituti i Studimeve Ndërkombëtare.

Duke nënvizuar se ka ardhur koha për të hapur një faqe të re në kapitullin e bashkëpunimit dypalësh, Sourani tha se “tashmë ka një axhendë pozitive bashkëpunimi, por fatkeqësisht edhe një perceptim fals në media për probleme të mëdha”

“Në lidhje me Shqipërinë në veçanti, Greqia ka qenë investitori më i madh i huaj dhe hapi dyert për mijëra shqiptarë emigrantë dhe mbështeti çdo hap të procesit të integrimit euro-atlantik. Perceptimet fallco dhe steriotipet pa baza duhen varrosur njëherë e mirë. Ne jemi dy fqinj kombe, jemi krenarë për veten dhe gjithçka synojmë mund ta arrijmë me bashkëpunimin tonë. Ka shumë arsye që Shqipëria dhe Greqia të kenë një partneritet strategjik dhe është detyra e të gjithëve për të luftuar perceptimet fallco dhe për të krijuar një marrëdhënie pozitive mes dy vendeve”, deklaroi ajo.

Ndërkohë edhe ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se “Greqia është një nga partnerët tanë kryesorë” dhe vendi ynë dëshiron të ketë marrëdhënie pozitive me fqinjin jugor.