Nuk është kurrëfarë ekskluziviteti: Injorimi i Kosovës nga Tirana për autostradën Nish – Durrës është i njohur moti

19.10.2016 17:46:28

Ky ëshrtë një shkrim i bërë nga Thanas Mustaqi, për agjensinë e lajmeve Dyrrah e Durrësit, kurse bashkangjitas është edhe intervista që zëvendëskryeminstrija e Serbisë,  Zoarana Mihajloviq, si dhe minstre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës së Serbisë, i aka dhënë kuririt serb. Në këtë material, do të vërehet se Prishtina është lënë anash kur është negociuar kjo marrëveshje. Në fakt, kjo ka gjasë ta ketë lënë anash edhe marrëveshjen me Beogradin që Prishtina kishte arritur ta nënshkruante në Bruksel. Ky është vetëm një nga faktet se si Edi Rama po e dëmton subjektivitetin dhe qenësinë shtetërore të Kosovës. Ndërkaq, unë e kam trajtuar këtë çështje vazhdimisht që nga viti i kaluar, por edhe tash në kuadër të trajtimit të qëndrimit të Edi Ramës në Beograd dhe në Nish. Si çështje pra nuk është ndonjë zbulim, por zbulim mund të jetë për ata që janë angazhuar dhe angazhohen vazhdimisht për rrënimin e institucioneve të shtetit të Kosovës, madje duke përmendur edhe skenarë ukrainas.

Ky shkrim mban datën 30 mja 2015, dhe po të njëjtën ditë janë edhe medie dhe portale të tjera që e kanë trajtuar, edhe pse jo kaq gjerësisht.

Pas 15 ditësh, Kryeministrat Vuçiç dhe Rama do të nënshkruajnë protokollin për realizimin e projektit të autostradës

·       Hekurudha Kosovë-Shqipëri? Ka vetëm fjalë, po bisedohet për leverdishmërinë edhe ndikimin në rajon

NGA THANAS MUSTAQI

DURRËS, 30 maj 2015 – Pas 15 ditësh Kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë do të nënshkruajnë protokollin për realizimin e projektit të autostradës, ndërsa nga një vlerësim paraprak del se i gjithë projekti i ndërtimit të autostradës Nish-Merdare-Prishtinë-Tiranë-Durrës kushton afër një miliard euro, tha të shtunën, më 30 maj 2015, Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës Zorana Mihajloviç, njoftuan agjencia serbe e lajmeve TANJUG dhe RTS.

“Nuk është hera e parë që diskutohet për këto projekte, Serbia dhe Shqipëria kanë gjashtë muaj që po punojnë për të dhe kanë përgatitur këto projekte, të cilat do t’i paraqesin dy kryeministrat në Vjenë në muajin gusht”, deklaroi nr. 2 i Beogradit Zorana Mihajloviçi.

“Është një çështje që ka të bëjë me të gjithë rajonin dhe stabilitetin politik, pa të cilin ne nuk mund të flasim për stabilitet ekonomik. Kjo autostradë është e rëndësishme, sepse lidh rajonin, dhe për ne në veçanti është e rëndësishme për shkak se do të dalim në det nëpërmjet porteve shqiptare”, tha Ministrja.

E pyetur për hekurudhën Prishtinë-Tiranë, Mihajloviçi tha se është diskutuar për të dhe po konsiderohet mbi kostoja dhe leverdishmërinë e lidhjes hekurudhore në rajon. “Ne po bisedojmë me vendet e BE-së, por mbi të gjitha, duke diskutuar për autostradën. Për hekurudhën vetëm po bisedojmë”, tha Zëvendëskryeminstrja serbe.

[Ndërkaq, sikurse ka informuar dhe “Dyrrah”-u, qeveria shqiptare ka aplikuar për fonde, për të pasur mundësinë e financimit të linjës hekurudhore Kosovë-Shqipëri. Kjo u bë e ditur nga ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto, gjatë takimit rajonal në nivel ekspertësh “Connect to Europe to Connect Europe (CECE): Upgrading railway as growth engine for SEE ”, që u mbajt më 10 shkurt 2015 në Tiranë: “Në planet tona të së ardhmes, kemi qëllim lidhjen me Kosovën, prandaj kemi aplikuar se fundmi për fonde për të pasur mundësinë të financojmë këtë lidhje hekurudhore. Zhvillimet ekonomike vendase janë të rëndësishme, por nuk mund të anashkalojmë zhvillimin rajonal dhe projektet e përbashkëta, si një mjet i qëndrueshëm për lidhjet rajonale”].

PO PRISHTINA ZYRTARE?

“A do të jetë Kosova pjesë e nënshkrimit për autostradën Durrës-Nish?”, pyet gazeta “Express” e Prishtinës. Sipas këtij burimi, udhëheqësit e dy vendeve fqinjë të Kosovës nuk e kanë përmendur fare përfshirjen e liderëve të Kosovës në këtë marrëveshje, e cila Serbisë i siguron dalje në det. Para kësaj marrëveshjeje, Hashim Thaçi sa ishte Kryeministër kishte arritur marrëveshje me Kryeministrin e atëhershëm të Serbisë, Ivica Daçiç, për lidhjen e autostradës së Kosovës me atë të Serbisë.  Por, duket se marrëveshja e fundit mes Shqipërisë dhe Serbisë e ka lënë krejt anash marrëveshjen e mëhershme të Prishtinës dhe Beogradit. Në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, Baronesha Ashton pati konfirmuar arritjen e marrëveshjes mes dy vendeve për lidhjen e autostradës së Prishtinë-Nish. “Të dyja palët kanë rënë dakord për të krijuar një ekip teknik pune të përbashkët për të përgatitur një studim fizibiliteti për autostradën Nish­ Prishtinë”. Realizimi i kësaj autostrade, e cila pritet të financohet nga Bashkimi Europian, do të lidhë Prishtinën me Beogradin (autostrada Beograd­Nish është ekzistuese) dhe është vazhdim me autostradën Durrës­Prishtinë, duke lidhur kështu edhe Portin e Durrësit me Beogradin”, ka thënë ajo, në nëntor të vitit 2012.  Isa Mustafa në fjalimin e tij gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt në Tiranë, ka thënë se Kosova dëshiron të lidhet me Serbinë me autostradë.

IDE E VJETËR QË NGA KOHA E MILOSHEVIÇIT

Sipas Milutin Mrkonjiçit, ish-ministër serb i Transportit, autostrada Nish-Prishtinë është një ide e vjetër që nga koha e Sllobodan Milosheviçit. “Që në vitin 1995, ne kishim projektuar një hartë të kësaj autostrade. Ajo është përfshirë gjithashtu në planin për zhvillimin e transportit në Ballkan. Ajo duhej të lidhte Rumaninë nëpërmjet Negotinit dhe Nishin me kufijtë shqiptarë”, tha Mrkonjiç. Goran Rodiç, sekretar i Shoqatës për Ndërtimin dhe Strehimin i Dhomës serbe të Tregtisë, tha për SETimes se autostrada do të shtrihet rreth 80 km në Serbi, me një potencial shumënivelesh, pasi përgjatë saj do të ndërtohen një numër motelesh, karburantesh, restorantesh. Ai tha gjithashtu se autostrada do të kishte një interes të përgjithshëm dhe fizibilitet ekonomik. “Ajo duhet të lidhet me Korridorin 10, që do të thotë me BE-në, pasi pikat e saj të reja duhet të jenë: Prizreni, Prishtina, Merdare-Korridori 10 ose Rumania, Hungaria dhe më tej. Ajo duhet të kalojë nëpër Shqipëri mbi Bjeshkët e Namuna, për në portet e Durrësit dhe Vlorës, që duhet të bëhen porte kryesore, shumë më të lirë dhe të përshtatshëm për transport më të madh sesa Bari dhe Selaniku”, tha Rodiç për SETimes. “Autostrada Nish-Prishtinë duhet të përfundohet, sepse është realiste, absolutisht realiste dhe e dobishme në shumë mënyra, me një numër përfitimesh për mbarë rajonin”, tha Mrkonjiç.

Qyteti i tretë më i madh në Serbi Nishi vetëm se gjendet pranë Korridorit 10, mirëpo për një rrugë më efikase transiti të udhëtarëve dhe mallrave deri në Kosovë dhe Shqipëri, siç kanë rënë dakord të dyja palët, do të kishte domethënie të madhe ndërtimi i autostradës.

“Kjo autostradë nuk është alternativë e Korridorit 11 (autostrada nga Beogradi deri në Mal të Zi), kjo autostradë për ne është shumë e rëndësishme pasi që do të lidhemi me të ashtuquajturin “Korridori Blu”, autostrada Adriatik-Jon që kalon nëpërmes Shqipërisë”, ka thënë Mihajloviç, shkruan portali Juznevesti.

Përveç ndërtimit të rrugës, palët kanë biseduar edhe për ndërtimin e hekurudhës Beograd-Tivar me një trase në drejtim të Shqipërisë dhe porteve. Problemi kryesor për realizimin e të dy projekteve janë financat, ndërsa siç ka thënë ministrja, ndërtimi i autostradës dhe hekurudhës kushton rreth 2 miliardë euro.

“KORRIDORI BLU”

“Korridori Blu” konsiderohet si projekti më i madh që lidh Mesdheun, nga Veriu në Kroaci, vazhdon në Mal të Zi, Shqipëri dhe përfundon duke e lidhur me Greqinë, në krijimin e asaj që cilësohet si “Unaza e Ballkanit”. Për ndërtimin e kësaj autostrade është rënë dakord në takimin mes kryeministrave të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Kroacisë, Milo Gjukanoviç dhe atij të Bosnjë-Hercegovinës, Vjekoslav Bevanda në gushtin e vitit 2014. Autostrada Blu apo Adriatiko-Joniane është pjesa e rrugës që do të ndërtohet në brigjet e deteve Adriatik dhe Jon. Kjo rrugë bashkon segmentin dalmat me brigjet greke. Për Shqipërinë, kjo përbën favor të madh pasi do të ndërtohet një autostradë tërësisht e re pranë brigjeve të saj. I gjithë projekti ka një gjatësi prej 350 kilometrash dhe do të ndahet në këto segmente, duke nisur nga veriu: Velipojë-Shëngjin, Shëngjin-Patok, Patok-Durrës, Durrës-Divjakë, Divjakë-Seman, Seman-Vlorë, Vlorë-Dhërmi, Dhërmi-Sarandë, Sarandë-Butrint. Për segmentin nga Velipoja në Shëngjin është parashikuar një kosto rreth 40 milionë USD. Për pjesët e tjera ende nuk është bërë studimi i fizibilitetit. E gjithë kostoja e kësaj rruge pritet të arrijë shifrën e 400 milionë eurove.

EDHE DHI E ZGJEBOSUR EDHE BISHTIN PËRPJETË

“Dyrrah”-u ka përkthyer të plotë intervistën – e stërfolur në mediet e Tiranës – të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës të Serbisë Zorana Mihajloviç për gazetën “Kurir”. Bie në sy se gazeta e Beogradit dhe Mihajloviçi duan të nxjerrin përfitime politike nga vizita e Vuçiçit në Tiranë, duke politizuar dhe një autostradë. Është një fjalë e urtë, njëkohësisht frazeologjizëm shqip: “Edhe dhi e zgjebosur edhe bishtin përpjetë!”. Serbët duan të dalin në Adriatik nëpërmjet Durrësit për arsye edhe ekonomike, nga ana tjetër shesin mend: “Është logjike të lidhemi me Shqipërinë, sepse kjo është mënyra që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Beograd. Ky është qëllimi ynë politik” dhe se “Vuçiç-i i tregoi Ramës i cili është lider i rajonit”! Ja teksti i plotë:

BEOGRAD – Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Tiranës do të përmirësojnë sa më shumë kauzën tonë dhe aksionet e fqinjëve duke shoqëruar fjalët me veprat. Ramë dakord që shtëpia e përbashkët e të gjithë shqiptarëve është BE-ja, siç është gjithashtu BE-ja shtëpia e përbashkët e Serbisë dhe Shqipërisë.

Kurse mungesa e stabilitetit në rajon është shkaktare e varfërisë së qytetarëve tanë dhe ne duhet të bëjmë çmos për të dalë nga ky rreth vicioz varfërie dhe konflikti. Kjo është arsyeja pse kjo vizitë tregoi se Vuçiç-i jo vetëm që është lider në Serbi, por që është lider në rajon, – tha në një intervistë për “Kurir”-in Zëvendëskryeministre dhe Ministre e Ndërtimit, Transportit dhe Infrastrukturës e Serbisë Zorana Mihajloviç.

Cilat janë projektet e kontraktuara?

– Lidhja e Shqipërisë nëpërmjet Serbisë me pjesën tjetër të Evropës dhe dalja jonë në Durrës dhe detin Adriatik me autostradë është sfidë e rëndësishme financiare dhe projektuese. Kur ka rrugë të mira, do të lëvizin udhëtarët, mallrat dhe kapitali.

U përmend se projektet do të ndërtohen dhe me fondet e BE-së. Sa do të kushtojë autostrada Nish-Prishtinë-Tiranë dhe sa kohë do të nevojitet?

– Gjatësia arrin gjithsej në rreth 385 kilometra dhe lidh Korridorin 10 në Serbi nga Nishi nëpërmjet Prishtinës me portin e Durrësit. Kjo është lidhja kryesore midis Korridorit 10 dhe 8 (Maqedoni dhe Bullgari), dhe kryqëzohet me autostradën Shkup-Prishtinë, si dhe me atë Sarajevë-Podgoricë-Vlorë. Vlera e parashikuar e investimit është një miliard euro.

A vihet theksi mbi autostradën për shkak të efekteve ekonomike, apo për shkak se këmbëngul dhe BE-ja?

– Trafiku transit nga Tirana në Evropë do të kalojë në autostradën serbe nëpërmjet Beogradit drejt Zagrebit dhe Budapestit. Këto janë të ardhurat e drejtpërdrejta dhe të tërthorta nga transiti. Nga ana tjetër, Serbia në dy vitet e ardhshme, përfundon pasi ka filluar ndërtimin e autostradave drejt Bullgarisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Është logjike të lidhemi me Shqipërinë, sepse kjo është mënyra që të gjitha rrugët e Ballkanit Perëndimor të çojnë në Beograd. Ky është qëllimi ynë politik, apo jo?

Si u ndiet në Tiranë kur pas 103 vjetësh u valëvit flamuri serb dhe u dëgjua himni kombëtar?

– Rama ishte një mikpritës i shkëlqyer. Në çdo kohë fjalët dhe sjelljet demonstruan angazhimin për bashkëpunim të plotë dhe përmirësimin e marrëdhënieve. Bisedimet ishin intensive, shteruese.

A patët rast të provoni kuzhinën shqiptare? Cili prej specialiteteve të tyre ju pëlqeu?

– Nuk kam qenë për herë të parë në Tiranë. Kuzhina shqiptare është një përzierje interesante turke, greke dhe italiane. Vend mesdhetar dhe peshk fantastik nga Adriatiku.

Rama u bëri thirrje serbëve që të vijnë në Shqipëri të lahen në det. A do të jeni një nga këta turistë?

– Vend i bukur mesdhetar, kurse Adriatikun ne nuk e njohim vetëm në bregdetin shqiptar, dhe për këtë arsye nuk është e pamundur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/”