Pas dështimit në Siri, rusët e kanë një plan

07.04.2017 10:04:04
Nga Azem Parllaku

Pas ndërprerjes së bombardimeve të NATO-s, dhe marrëveshjes për futjen e forcave të KFOR-it, në qershor të vitit 1999, të parët që hynë në Kosovë ishin forcat ruse.

Rusët të cilët u pritën nga serbët si çlirimtarë në Kosovë, e pushtuan për pak kohë Aeroportin e Prishtinës, ndërkohë që, u pritën me entuziazëm nga serbët e Kosovës, të cilët festonin me të shtëna armësh, ndërsa vajzat dhe gratë u dhuronin lule.
Pasi e lëshuan Aeroportin e Prishtinës, trupa ushtarake ruse më pas u vendos në qendra të ndryshme të Kosovës, por pas disa viteve u tërhoq krejtësisht nga Kosova, ndërsa NATO vazhdon prezencën edhe sot, edhe pse me shkurtime të ndjeshme të numrit të forcës së saj ushtarake. Duke ndërhyrë ushtarakisht në Kosovë, Rusia po i jepte një mesazh të fortë, kryesisht fuqive Perëndimore, se ajo, sado e pafuqishme të jetë, nuk do të rri të bëj spektatorin në teatrin ku të fuqishmit janë aktorët në skenë.
Që nga ajo kohë, Moska ka mundur të nxisë një seri krizash përballë të cilave Perëndimi është dëshmuar i paaftë për t’i menaxhuar. Jo më larg, vetëm para tre ditësh të paktën 72 civilë, mes të cilëve 20 fëmijë u vranë në një sulm të dyshuar kimik në veriperëndim të Sirisë. Sipas një bilanci provizor të Observatorit Sirian të të Drejtave të Njeriut, u tha se në këtë sulm mund të jenë përfshirë edhe avionë rusë.
Ndërsa, në orët e para të 7 prillit, Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar një bazë ajrore siriane, në përgjigje ndaj sulmit vdekjeprurës me armë kimike, për të cilin e kanë fajësuar qeverinë siriane. Pak para sulmit, diplomatët rusë kanë paralajmëruar për një veprim të tillë duke thënë që, Shtetet e Bashkuara duhet të marrin përgjegjësitë për pasojat negative të këtij sulmi. Pentagoni ka bërë me dije se, sipas vlerësimit të parë, zonat e synuara janë shkatërruar. Por analistët thonë se sulmet hakmarrëse të Shteteve të Bashkuara, me gjasë mund të kenë vrarë shumë civilë, madje edhe zyrtarë ushtarakë rusë, të cilët jetojnë në zonat përreth aeroportit. Pentagoni ka thënë se e ka njoftuar paraprakisht Rusinë për sulmin, me qëllim që të sulmet të mos godasin pjesë të bazës ajrore, ku janë të vendosur forcat ruse. Interesant është fakti që, Kremlini, i cili mbështet regjimin e Assadit, ka dënuar ashpër sulmin e 7 prillit, duke e quajtur si “agresion kundër një kombi sovran”, sipas Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin.
Nëse nga ky sulm mund të ketë rusë të vrarë, atëherë situata nuk do të jetë aspak rozë. Është e qartë që, pas ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara, Rusia nuk do të mund t’a mbështesë qeverinë e Assadit, e për rrjedhojë Putinit do ti duhet të shtojë hallkën e radhës në zinxhirin e krizave. Kësaj here me siguri do të jetë Ballkani, ai që do të trazohet. Ndikimi rus do të intensifikohet në shumë pjesë të trazuara të Ballkanit, përfshirë Serbinë, veriun e Kosovës, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Stabiliteti i Ballkanit ka qenë temë e nxehtë në takimet e presidentit rus, Vladimir Putin, me Këshillin e Sigurisë në Kremlin gjatë kësaj kohe. Kreu i Këshillit ka deklaruar se Ballkani është në top prioritet për Moskën.
Incidentet me përzierje të Moskës në Ballkan janë në ngritje, ndërsa njëherësh vazhdon dilema nëse rajoni do të jetë teatri i radhës në luftën e vazhdueshme të Moskës kundër fuqisë dhe unitetit Perëndimore. Mbi të gjitha, ngritja e tensioneve në Serbi, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni i’a ofron Moskës mjetet e përshtatshme për të rritur ndikimin e saj dhe të çorientojë Perëndimin. Ndikimi rus në Serbi ka shënuar një ngritje të madhe. Presidenti i sapozgjedhur Vuçiç është miku më i vyer i Putinit.
Numri i mediave dhe organizatave joqeveritare ruse në Serbi, ka njohur progres të madh. Në aktivitetet e organizatave joqeveritare dhe publikimet e mediave, ka retorikë të fuqishme antiperëndimore, shpesh si referencë merren bombardimet e NATO-s kundër Serbisë më 1999. Njëherësh, Rusia dhe Serbia kanë rritur me të madhe bashkëpunimin ushtarak në muajt e fundit. Ushtritë ruse dhe bjelloruse zhvilluan manovra ushtarake në Serbi që rastisën me manovrat e NATO-s matanë kufirit në Malin e Zi fqinj.
Forcat e Armatosura të Serbisë do të kompletohen me gjashtë bombardues MIG dhe shumë tanke dhe makineri luftarake gjatë javëve të ardhshme si dhuratë nga Moska, e cila i ka ofruar edhe shitjen e sistemeve anti-ajrore Buk. Pajisjet do të jenë një version më i ri i teknologjisë sovjetike në të cilin ende mbështetet Serbia. Nëse vazhdojnë të ngrihen tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Rusia do të mund t’i përdorte për të instruktuar mjeshtërisht shpërthimin e një krize të plotë në terren. Autoritetet në Prishtinë e kanë akuzuar Rusinë në lidhje me përfshirjen e saj, në lidhje me trenin provokativ që do të udhëtonte për në Mitrovicë. Qeveria malazeze ka akuzuar forcat ruse të sigurisë për komplot për vrasjen e Milo Gjukanoviqit, kryeministrit të atëhershëm malazez, pak para shpalljes të rezultatit të zgjedhjeve në tetorin e vitit të kaluar. Shumë analistë këtë veprim e konsideruan si përpjekjen për të bllokuar rrugëtimin normal të Malit të Zi në NATO. Presidenti i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka bërë thirrje për mbajtje e një referendumi vitin e ardhshëm për pavarësimin e Republikës Srpska, që është njësi e dominuar prej serbëve ortodoksë.
Propozimi të kujton referendumin e mbajtur në Krime pak para aneksimit nga Rusia. Dodiku, i cili e përmendi së pari referendumin gjatë fushatës zgjedhore për presidencë më 2014, ka folur hapur për lidhjet e tij me Moskën. Megjithëse votuesit në Republikën Srpska janë të ndarë lidhur me çështjen e ndarjes, fushatat e mediave të Kremlinit do të marrin me gjasë vrull me afrimin e referendumut. Kriza politike në Maqedoni mund të përkeqësohet edhe më shumë nëse VMRO DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit vazhdon të mbajë të bllokuar proçesin e zgjedhjes së institucioneve të reja. Përveç bllokimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe të Qeverisë së re, tani është bllokuar edhe pushteti lokal nga pamundësia e shpalljes së zgjedhjeve të parapara për në muajin maj.
Moska pretendon se kriza politike në Maqedoni, përkrahet nga Perëndimi, teksa anketimet e fundit tregojnë se shumica e maqedonasve do t’i drejtoheshin shumë më shpejt për ndihmë Rusisë në të ardhmen sesa Perëndimit, për shkak se dyshojnë në zotimet e perëndimorëve. Kur Rusia sapo ka dështuar me përgjegjësinë e saj për të menaxhuar situatën në Siri, nuk është aspak çudi që, zyrtarët rusë t’i interpretojnë shumë seriozisht edhe deklarimet e fundit të, shkrimtarit dhe gazetarit të mirënjohur italian Roberto Saviano. Gazetari ka lëshuar vërtet një bombë, për të cilën duhet të shqetësohen seriozisht autoritetet shqiptare, teksa është shprehur se marijuana në Shqipëri kultivohet nëpërmjet financimeve që vijnë nga Shteti Islamik.