PDK: Kurti u dorëzua para Beogradit në veri – zëvendësi i tij e shpall të ndarë atë pjesë

05.04.2020 18:11:47

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i ka dënuar dhe i ka quajtur skandaloze deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, si dhe të zëvendësit të tij, Haki Abazi.

Përmes një reagimi, PDK-ja thotë se, në video-mesazhin e Kurtit për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë” dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre”, Kurti “po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit. Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut”, shkruan lajmi.net.

Reagimi i plotë i PDK-së, pa ndërhyrje:

Partia Demokratike e Kosovës dënon deklaratat skandaloze të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Haki Abazi për situatën në veri të vendit.

Kryeministri, duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë. Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Në një video-mesazh për konflikt me fjalët do “të derdhet gjaku jonë “ dhe duke thënë ruani “gjakftohtësinë e mos bini në kurthin e tyre “ Kryeministri po përpiqet që t’i frikësoj qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndal qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit. Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut.

Deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova. Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë.

PDK konsideron se qeveria e shkarkuar po vazhdon të tallet me qytetarët, dhe veçmas me banorët shqiptarë të ngujuar e të frikësuar në veri të vendit. PDK do të angazhohet me tërë kapacitetin e saj politik e institucional për ta ndalë degradimin e mëtejshëm të kësaj qeverie në ikje që po shkon në dëm të shtetit dhe, në veçanti, të pjesës veriore të Republikës së Kosovës.