Përmbytjet, viktima e të zhdukur në Livorno

10.09.2017 17:17:08

Përmbytje të përmasave të jashtëzakonshme. Kështu i kanë cilësuar mediat italiane ato që kanë përfshirë qytetin e Livornos, ku brenda dy orëve ranë 260 milimetra shi, aq sa normalisht bie në 2 muaj.

Më e goditura është zona jugore e qytetit, ku uji ka shkaktuar të paktën 6 viktima. Autoritetet paralajmërojnë se gjatë orëve në vazhdim bilanci mund të rritet.

Katër prej viktimave u shënuan në një bodrum dhe janë që të gjithë pjesëtarë të së njëjtës familje; një fëmijë dyvjeçar, prindërit e tij dhe gjyshi. Trupat e tyre u gjetën nga zjarrfikësit. Siç mësohet ka mundur të shpëtojë fëmija tjetër e çiftit, një vajzë 4-vjeçare.

Një tjetër trup u gjet në rrugën e Fontanelles, ndërsa viktima e 6 është një shofer i gjetur i mbytur në automjetin e tij. 3 persona janë raportuar të zhdukur.

Mbrojtja civile dhe ekipe të ushtrisë po kontrollojnë qytetin dhe ekziston frika se në zonat kodrinore në jug të Livornos mund të ketë viktima të tjera.

Në zonën e Tre Ponti, një prej plazheve më të famshme të Livornos, muri rrethues i urës u shemb. Balta mbuloi plazhin duke tërhequr me vete makina, furgonë e motoçikleta.

Dhjetëra shtëpi janë përmbytur dhe në disa zona uji ka arritur dy metrat duke përpirë plotësisht banesat e katit të parë. Disa zona periferike, si Salviano u evakuuan.

Në Pizën e afërt, 4 vajza mbeten të bllokuara në një nënkalim të përmbytur nga uji dhe shpëtuan për mrekulli duke hipur sipër makinës së tyre para se të zhvendoseshin nga zjarrfikësit.

Kryebashkiaku i qytetit, Filipo Nogarini shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.