Reeker: Taksa po rrezikon marrëdhëniet SHBA-Kosovë

04.03.2019 16:44:57

Ndihmës sekretari ardhshëm i Shtetit për Evropë dhe Azi, Philip Reeker u ka bërë thirrje edhe njëherë autoriteteve të Kosovës që të suspendojnë taksën doganore të vendosur ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, në mënyrë që t’i hapet rrugë dialogut dhe arritjes së marrëveshjes Kosovë – Serbi.

Këto komente, diplomati amerikan i bëri në Shkup ku po merr pjesë në një seminar dyditor për sigurinë, raportet rajonale dhe zhvillimin ekonomik, “Ballkani 360”.

“Nëse Prishtina zyrtare nuk kthehet në negociata siç ka thënë ‘pa kushte’, atëherë do të rrezikojë të ardhmen e saj evropiane dhe jo vetëm”, tha Reeker.

“Ne nuk kërkojmë nga Kosova që t’ia japë Hënën, por të heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës për një kohë të caktuar”, u shpreh ai.

“Pastaj do të mund të shohim se çka do të mund të arrihet në tryezën e bisedimeve. Asnjë marrëveshje nuk është nënshkruar përderisa nuk arrihet ujdi për të gjitha aspektet e saj”, theksoi Reeker.

Kosova, nënvizoi ai, nuk humb asgjë nëse negocion, por “mund të rrezikojë gjithçka nëse nuk ulet në tryezën e negociatave”.

Gjithashtu, ai ka ftuar edhe Beogradin, i cili sipas tij, ka qenë agresiv në negociata, të angazhohet për të normalizuar marrëdhëniet.