Shembja e Teatrit, Vlahutin apel qeverisë: Dëgjoni qytetarët për një zgjidhje

07.07.2018 23:34:22

Mazhoranca nuk e ka marrë parasysh protestën e artistëve dhe qytetarëve ditën e enjte përpara Parlamentit, apo qëndresën e opozitës në Kuvend, kundër ligjit që i hap rrugë shembjes së Teatrit Kombëtar dhe ngritjes së një godine të re.

Të majtët kaluan me votat e tyre ligjin në fjalë, por duket se kundër veprimit të tyre ka dalë sot ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Vlahutin ndodhej sot në Fier dhe nga aty i bëri thirrje qeverisë që të bëjë dëgjesa me qytetarët dhe të arrihet në një marrëveshje për Teatrin Kombëtar. Ambasadorja e BE theksoi se ka marrë letra për çështjen më të nxehtë të momentit dhe se pas një analize të thellë do të vijë edhe përgjigja e BE.

“Kemi marrë letra dhe kërkesa që kanë të bëjmë me këtë çështje. Jemi duke bërë një analizë të gjatë ligjore. Këshilla ime do të ishte: dëgjoni qytetarët tuaj, flisni me ta për të gjetur zgjidhje në përfitim të qytetareve. Përgjigja jonë do të vij pas një analize të thellë lidhur me çështjen e teatrit. Të diskutohet me qytetarët”, u shpreh Vlahutin.

Ambasadorja i kujtoi qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse se është “është e rëndësishme të dëgjohen qytetarët”.

“Kur ka një vlerë emocionale, duhen dëgjuar qytetarët”, nënvizoi ajo.

Vlahutin ishte sot e pranishme në një takim të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri në një ndërmarrje sociale e themeluar nga dy organizata të shoqërisë civile.