Shqipëri: 300 euro të falsifikuara i përdorën nëpër karburante, 2 në pranga

14.12.2017 12:31:32

Policia e Tiranës ka konkluduar operacioni policor të koduar “Euro 2” që çoi në arrestimin e shtetasve  Genci Muja 37 vjeç, banues në Krujë dhe Denis Ibrahimi 21 vjeç, banues në Fushprezë të akuzuar për falsifikim kartëmonedhash.

Sipas policisë, “këta shtetas veçmas nga njëri- tjetri, kanë përdorur 300 Euro të dyshuara të falsifikuara, të prerjeve 50 dhe 100 Euro, në disa pika karburanti në qytetin e Tiranës”.

Gjithashtu në vijim të veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Genci Muja dyshohet dhe si autor i ngjarjes të ndodhur me 25 nëntor të këtij viti në rrugën “Aleksander Moisiu”, ku në një pikë karburanti, dyshohet se i ka dhënë si pagesë për furnizimin me karburant një kartëmonedhë 100 euro e dyshuar si e falsifikuar.

Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor edhe për të tjera vepra penale që këta shtetas dyshohet se mund të ketë kryer në këtë fushë.

Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Falsifikim i monedhave” dhe “Mashtrimi”.