Shqipëri/ Takimi me Mogherinin, Bushati: Hyjmë në fazën më impenjative për reformat

18.04.2018 21:27:03

Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini gjatë vizitës së saj në Tiranë është ndaluar edhe në zyrën e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, ku ka dhënë indikacionet e duhura për të bindur BE që në qershor të kalojnë me një votë pro rekomandimin pozitiv për Shqipërinë.

Ndërkohë në një reagim zyrtar, shefi i diplomacisë shqiptaree vendos theksin tek mesazhi i këtij takimi, duke nënvizuar se në vijim Shqipëria do të duhet të intensifikojë më tepër punën e saj për t’u bërë anëtare e familjes evropiane.

“Rekomandimi për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE është plotësisht i merituar dhe vjen si pasojë e fruteve të korrura në fushëbetejën e vështirë të reformave shtet ndërtuese dhe shtet konsoliduese. Rekomandimi nuk është fundi i kësaj fushëbeteje. Por futja në një fazë të re edhe më impenjative që kërkon ritëm dhe cilësi edhe më të madhe për reformat që do të ndërmerren”, shkruan Bushati në Facebook.